Zhbllokohet situata, Meta dekreton lirimin si Gjeneral Brigade të Sandër Lleshajt

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin si Gjeneral Brigade, të Zv.ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj duke zhbllokuar situatën e krijuar me emërimin e tij. Lirimi ishte kërkuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Në dekretin e publikuar nga Presidenca, thuhet:

Në mbështetje të nenit 93, të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, shkronja “g”, të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 26 pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes nr. 8210/1 prot., datë 15.11.2018,

D e k r e t o j

Neni 1

Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshaj, nxirret në lirim.

Neni 2

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. i Dekretit 10955

Tiranë, më 16.11.2018

Presidenti i Republikës Ilir Meta."

Lidhur me dekretimin e Lleshajt si Ministër i Brendshëm i vendit, pati një përplasje midis Kryeministrisë dhe Presidencës, pasi kreu i shtetit nuk e firmosi dekretimin e Lleshajt. 

Kreu i qeverisë, Edi Rama, e akuzoi Presidentin se nuk kishte arsye për të mos e dekretuar z. Lleshaj dhe se refuzimi nuk ishte i mbështetur në Kushtetutë.

Presidenti Ilir Meta i bëri thirrje indirekt 'amatorëve" t'i referoheshin Kushtetutës dhe gradualsiht u zbuluan pengesat ligjore, që nuk lejonin Lleshajn të merrte postin e ministrit. Një nga pengesat ishte mbajtja e gradës ushtarake.

ME POSHTE, DEKRETIMI I PRESIDENTIT ILIR META PER NXJERRJEN NE LIRIM TE OFICERIT ME GRADE MADHORE, SANDER LLESHAJ: