Blindohet Elbasani, reagon Berisha: Bllokohen rrugët kur lëviz Lleshi i Kallam Dështakut

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar masat e rrepta të ndërmarra nga Policia për të ruajtur zv.ministrin e Brendshëm Sandër Lleshi në takimet e tij jashtë Tiranës, si ai i fundit në Elbasan.

“Bllokohen rrugët kur lëviz Lleshi (Lleshaj) i Kallam Dështakut! – shkruan Berisha në Fb, duke reaguar pas denoncimit të një qytetari, që ka shprehur habi nga masat e jashtëzakonshme. - Përforcime me mijëra policë për vizitën e djeshme të zv.ministrit të parë antikushtetues, antiligjor Lleshi (Lleshaj) në Elbasan. Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital,” nënvizon ish-kryeministri në vijim.

Habia e qytetarit, mesazhi dërguar Berishës:

"Elbasani i blinduar nëpër rrugë. Gjatë gjithë rrugës Tiranë-Elbasan, sidomos në qytet, qindra e qindra policë. Merret vesh se në orën 15:00 ka mbërritur me eskortë të përforcuar, makina e zv.ministrit të Brendshëm = ministër në Drejtorinë e Policisë, sikur udhëtonte në një zonë të pushtuar nga krimi.

Mbarimi i takimit po ashtu, me shumë përforcime, sa rruga e Metalurgjisë ishte bllokuar.

Lind pyetja: Përse?

Nga kush ruhet zv.ministri i rendit?

Po qytetarët shqiptarë, kush i ruan?

A nuk janë edhe ata bij nënash?

Zoti ma ruajt. Flm i nderuar Doktor!"