Këshilltarët e PD dhe LSI bojkotojnë Veliajn, bashkohen me protestuesit e Unazës së Re

Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë marrë vendim të bojkotojnë mbledhjen e e së enjtes në shënjë proteste ndaj kreut të saj Erion Veliaj dhe në solidaritet me  banorët protestues të Unazës së Re të Tiranës.

Banorët kanë 11 ditë që protestojnë në rrugën e Astirit si dhe para bashkisë së Tiranës kundër shembjes së banesave të tyre, pa u kompensuar të gjithë 100%.

Në një deklaratë të përbashkët,  Opozita e bashkuar në Këshillin Bashkiak Tiranë, vendosi:

“Si akt proteste ndaj sjelljes së paprecedentë të kryetarit bashkisë Tiranë, fyerjeve raciste, sjelljes denigruese dhe përçarëse ndaj banorëve dhe qytetarëve të Tiranës, të refuzojë pjesëmarrjen në mbledhjen e nesërme të Këshillit Bashkiak Tiranë dhe t’i bashkohet protestës së banorëve të Tiranës, në mbështetje të kërkesave të tyre të ligjshme, të drejtës së jetës, banesës dhe dinjitetit njerëzor.

Opozita zgjedh të jetë në krah qytetarëve përballë kësaj klike të korruptuar e të shthurur, që vetëm në sajë te votave të blera nga mafia dhe grupet e trafiqeve të drogës sundon vendin dhe Tiranën’, thuhet në deklaratë.