Konçensionet, vlera reale e borxhit shkon mbi 78% të Prodhimit të Brendshëm Bruto

Kontratat koncensionare me Partneritet Publik-Privat që tashmë janë në fuqi kapin një shifër prej 210 miliardë lekësh. Shuma përfshin financimin e 16 kontratave, të cilat tashmë kanë një fitues, shkruan Monitor. Shumica prej tyre janë në zbatim dhe financohen nga buxheti, ndërsa tre prej tyre janë shpallur fitues dhe janë në proces të finalizimit.

Vlera e kontratave koncensionare e cila dominohet nga rrugët, pa përfshirë ato që janë në proces dhënie arrin në 12.7 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të këtij viti (që llogaritet në mbi 1,6 trilionë lekë).

Ministria e Financave parashikon në relacionin e projektbuxhetit 2019 se në fund të 2018-s treguesi zyrtar i borxhit pritet të arrijë në 69.9% PBB-së. Në këtë tregues nuk janë përfshirë pagesat për kontratat koncensionare. Bashkë me këto kontrata treguesi real i borxhit shkon në 78.7 për qind e PBB-se. Po të llogarisim e detyrimet e praprambetura të qeverisë të cilat sipas ministrit Ahmetaj janë në rreth 14 miliardë lekë aktualisht borxhi real i vendit është edhe më i lartë.

Si po fshihet borxhi

Sipas standardeve të raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve, duke qenë në këtë mënyrë, një borxh i fshehur.