Skocia me paterica kundër Shqipërisë, ja mungesat

 

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Skocisë në Ligën e  Kombeve po kthehet pak nga pak në një nga më absurdet e viteve të fundit në historinë e kuqezinjve. Kjo, pasi të dy skuadrat përballen me një situatë të gjatë mungesash për dëmtime apo mosparaqitje që shtohen dita ditës, duke vënë në vështirësi të dukshme trajnerët.

Shqipëria u përball me një sërë dëmtimesh në muajt e fundit dhe me lojtarë pa ekip, ndërsa edhe me zgjedhjet që bëri trajneri Panuçi, disa lojtarë u detyruan të mos paraqiteshin për një arsye apo një tjetër apo kishte tërheqje po për dëmtime si ato të Ramadanit, Hoxhës apo Lenjanit.

Nga ana tjetër, Skocia po përballet me një situatë të njëjtë, aq sa të hënën, trajneri Aleks MekLish u detyrua të thërrasë katër lojtarë të rinj në ekip. Por kjo nuk ndali krizën e dëmtimeve. Një nga të sapoftuarit, Rajan Xhek u tërhoq pas seancës së parë për shkak dëmtimi, ndërsa sot, Skocia ka humbur një tjetër lojtar, mbrojtësin Majkëll Devlin.

Ky i fundit është dëmtuar gjatë një seance stërvitore të së martës dhe sot është lënë i lirë të kthehet te klubi i Aberdin, pasi nuk do të riaftësohej në kohë, edhe pse ishte planifikuar si titullar për sfidën me kuqezinjtë dhe atë me Izraelin si rrjedhojë e krizës së dëmtimeve në përfaqësuese. Në vend të tij, Skocia ka thirrur pasdite Xhek Hendri, një 23 vjeçar me pak eksperiencë me ekipet kombëtare skoceze, por një titullar fiks në radhët e Sëlltikut të cilit i është bashkuar në janar. /Vip Sport