Oblak paralajmëron largimin nga Atletico Madridit

Jan Oblak llogaritet si njëri prej portierëve më të mirë në Europë dhe Atletico Madrid rrezikon ta humbasë atë gjatë merkatos së janarit.

“Gardiani” nuk është i lumtur, pasi nuk ka marrë një kontratë të përmirësuar financiarisht.

Ai e ka bërë të qartë që mund të largohet dhe kjo nuk do të jetë befasi për klubin si në rastet e mëparshme. Portieri i ka thënë presidentit Enrique Cerezo, delegatit Miguel Angel Gil Marin dhe drejtorit sportiv Andrea Berta se do të largohet edhe në janar.

“Nuk e di, po për momentin jam këtu”, ka thënë Oblak kur është pyetur se sa gjatë do të qëndrojë tek Atletico.

Kontrata e Oblak skadon në vitin 2021, por paga e tij nuk është rritur që nga 2016-ta dhe kjo ka krijuar pakënaqësi te slloveni.