Pas golit ndaj Interit, Gjimshiti: Shpresoj t’i shënoj edhe Skocisë, është momenti i duhur!

Berat Gjimshiti ka folur para ndeshjes të së shtunës kundër Skocisë e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Në një deklaratë për mediat, mbrojtësi tha se gëzon një formë të shkëlqyer fizike duke premtuar se nëse do të luajë do të japë maksimumin.

“Nuk e di nëse është momenti më i mirë. Besoj është një moment i bukur, personalisht. Unë gjithmonë vij këtu për të dhënë maksimumin. Nuk ka problem nëse kam shënuar gol apo jo. Çfarë nuk po shkon te skuadra? Me Izraelin e patëm në dorë lojën, bëmë një ndeshje të mirë, nuk e merituam humbjen. Te goli i parë ishim të ngrirë, nuk e pritëm që do ta godiste portieri. Bëmë gabim të gjithë. Ato gjëra ndodhën, të mundohemi të bëjmë më mirë. Nuk e di nëse do të luaj me Skocisë. Nëse jam në fushë, provoj të jap më të mirën. Në fillim duhet të mbroj, pastaj nëse del rast për të shënuar akoma më mirë.”, tha ai.

“Besoj se me Skocinë do jetë një ndeshje e vështirë. Ata luajtën më mirë atje, ne kemi rastin që të tregojmë vlerat tona. Në fund duhet të arrijmë atë që duam. Nëse luajmë si skuadër, e dimë që jemi të fortë. Tifozët? Mendoj që na kanë përkrahur gjatë gjithë kohës. Shpresoj që do të jenë në stadium, të na japin forcën e tifozit”, vijoi ai.

Përballë “yjeve” të Serisë A: Mendoj se është e vështirë t’i markosh të gjithë sulmuesit. Nuk është vetëm Icardi, në Itali ka nivel të lartë. Është një vlerësim psikologjik dhe duhet të japësh maksimumin të mos lejosh për të shënuar gol.

Kujtojmë që ditën e shtunë në “Loro Boriçi” do të zhvillohet dueli ndërmjet Shqipërisë dhe Skocisë e vlefshme për Ligën e Kombeve.