Gjenerali me status ambigy “aktiv-pasiv”…!?

E gjithë historia e Ramës me general Lleshi por përfundon në komedi por që në realitet është edhe një tragjedi sesi funksionon qeveria Rama dhe sesi drejton Edi Rama.

Ja hapat që e nxjerrin lakuriq Ramën dhe bëjnë qesharak gjeneral Lleshin:

Në letrën e tij të gjatë, gjeneral Lleshi shpjegon se ka e humbur në vitin 2013 statusin “aktiv” për tu kthyer në “pasiv” me dekretin e presidentit Nishani.

Nga Gjykata e Apelit, është marrë në vitin 2017 vendimi i formës së prerë, që gjeneral Lleshi të rikthehet në “aktiv”.

Vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit nuk është zbatuar, nga Ministria e Mbrojtjes dhe as nga përmbarimi, madje Ministria e Mbrojtjes ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Në mungesë të një zbatimit të vendimit të Gjykatës së Apelit, pra në mungesë të një akti administrative të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral Lleshi me të drejtën e fituar me vendim gjyqi për të qënë “aktiv” ka mbetur praktikisht “pasiv”.

Ndërkohë gjenerali “potencialisht aktiv” por “praktikisht pasiv” është bërë këshilltar i Kryeministrit Edi Rama dhe është paguar prej tij (kjo është një dosje tjetër që duhet hetuar në thellësi).

Pas disa vitesh këtë gjeneral me këtë “status të dykuptimtë, aktiv-pasiv”  Kryeministri Rama e propozon për Ministër të Brendshëm…

Presidenti Ilir Meta nuk e dekreton këtë gjeneral me “status (ambigy) të dykuptimtë, aktiv-pasiv” nuk dekreton në postin e Ministrit të Brendshëm me arsyetimin se një ushtarak nuk mund të bëhet as deputet dhe as ministër për të drejtuar Ministrinë e Brendshme…

Kryeministri Edi Rama për të dalë nga ky qorroskak e këshillon gjeneralin të japë dorëheqjen nga “statusi aktiv” (që gjenerali realisht nuk e ka) dhe këtë gjë madje tja kërkojë Presidentit Meta, me logjikën infantile se kështu mund të zgjidhet ngërci dhe mund të bëhet Ministër i Brëndshëm…

Dhe gjenerali me “status të dykuptimtë, aktiv-pasiv” i shkruan Metës se heq dorë nga diçka që nuk e ka, ndonëse zotëron një vendim të Gjykatës së Apelit që është kthyer potencialisht në gjeneral aktiv, por që Ministria e Mbrojtjes e ka lënë “pasiv”…

E gjithë kjo odise nxjerr në shesh natyrë e vërtetë anarshiste, antikushtetuese e antiligjore,  të Edi Ramës që për të arritur qëllimet e tij të mbrapshta aplikon në injorancë të plotë dhe me arrogancë moton “qëllimi justifikon mjetin”, duke bërë qesharakë jo vetëm individë si gjeneral Lleshi por edhe qeverisjen e vendit dhe goditur rëndë seriozitetin e shtetit shqiptar.

Pyetja që shtrohet në këtë rast është: A e ka autoritetin moral dhe politik një gjeneral me status të paqartë aktiv-pasiv, të cilin e ka marrë për dore si manar apo më saktë e ka bërë qesharak Edi Rama duke e shndërruar herë në këshilltar të tij që nuk ka thënë një gjysëm fjale për kanabizimin e vëndit dhe herë në manikin të verbër të tij, dhe në fund kërkon ta emërojë edhe ministër-kukull të brëndshëm, me filozofinë e tij “qëllimi justifikon mjetin”, të bëhet Ministër dinjitoz i Brëndshëm dhe të drejtojë me autoritet aksionet për të ndërprerë lidhjet e krimit e të trafiqeve me qeverinë?

Syri.net/ 12 nëntor 2018