VIDEO/ Protestuesit e Unazës së Re para zyrave të Veliajt: Dy duar për një kokë

Qytetarët e Unazës së Re që u shemben shtëpitë dhe banesat janë mbledhur para bashkisë së Tiranës për të protestuar sot, përpara zyrës së kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ata kanë shpalosur një parullë të madhe ku shkruhet “Fuqia e njerëzve, më e madhe se njerëzit në fuqi” krahas të tjerave si: “Dy duar për një kokë”, “Kryeministër ku je fshehur”.

Tek hyrja e bashkisë ata janë ndalur nga Policia, ndaj së cilës kanë shfryrë jo vetëm për ndalimin që po u bën në instutucion, por edhe për incidentin që që u ndodhi të shtunën dhe ku Policia nuk ishte e pranishme.

Njeri prej tyre iu drejtua efektivit, që u kërkoi të iknin e të mos bëheshin problem.

“Ne nuk jemi vandalë. Edhe kjo që kërkoni ju është provokim. Provokim është. Edhe Policia që e paguajmë ne me taksat tona, nuk vjen të mbajë qetësinë. Kemi dhjetë ditë që protestojmë dhe Policia nuk vjen aty që të mos lejojë të përballem me atë shoferin, të ruajë qetësinë. Se dhe ai tjetri ka arsye, e kuptojmë."

“Ti je vëllai im, s’ke faj. Edhe ti me një dhomë e kuzhinë je”

“Për shtëpinë time unë nuk dua leje të protestoj, ta mbroj”, tha një grua.