Basha: T’i japim fund izolimit të Shqipërisë nga investimet e mëdha perëndimore

Kreu i opozitës tha gjatë tryezës ekonomike të realizuar nga PD, në bashkëpunim me CDU se PD është e gatshme që, në një moment të tillë krize kaq të madhe, t’u japë shqqiptarëve shpresën, besimin, rrugën e daljes nga kjo gjendje.

Basha vuri në dukje se Shqipërisë I duhet një përmbysje totale e gjendjes në vend, në mënyrë që Gjermania të investojë këtu dhe të hapë vende punë.

“Së pari duhet të garantojmë shtetin e së drejtës. Asnjë investitor serioz nuk mund të japë paratë e veta në një vend ku nuk ka zbatim të ligjit, ku ligji është një copë letër pa vlerë për qeverinë, ku rregullat nuk zbatohen njësoj dhe lidhja me krimin ka shkatërruar dhe kapur institucionet kryesore të vendit.

Rikthimi i vendit nën  sudmit e ligjit do të thotë bërja sa më shptej funksionale e Gjykatës Kushteteuse, do të thotë një drejtësi penale dhe civile funksionale, që ndëshkon dhe nuk mbron politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, garanton të drejtat e liritë e qyterarëve, duke përfshirë të drejtat e pronës së tyre dhe të bizneseve.” – u shpreh Basha.

Gjatë tryezës për programin e ekonomisë së PD, në bashkëpunim me partnerët gjermanë të CDU-së, kreu i opozitës vuri në dukje se Shqipëria është e izoluar nga investimet e mëdha perëndimore. Ai tha se hapi i dytë do të jetë kthimi i Shqipërisë në një vend atraktiv për investimet. “Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që, në 6 vjet, nuk ka investim serioz perëndimor.

Dy investimet e fundit perëndimore TAP-i dhe “Devolli” u kontraktuan gjatë qeverisjes së PD dhe, me mbylljen e tyre, mijëra njerëz do të gjenden pa punë”-tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh optimist se me ndihmën e partnerëve gjermanë dhe  duke fituar betejën për demokracinë dhe shtetin ligjor, në Shqipëri do të kthehet shpresa dhe vendi do të zhvillohet.

“Ne kemi një plan dhe vendosmërinë për ta zbatuar atë deri në fund. Ne kemi partnerë të çmuar që nuk e kanë humbur shresën, që kanë ditur të shndërrojnë gërmadha ekonomike si Gjermania Lindore, në modele të shkëlqyera të zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës”. – u shpreh Basha.