Rama i ulërin Gjykatës Kushtetuese që të hap derën, Peka i përplas të vërtetën

Karikaturisti i njohur, Bujar Kapexhiu, me ironinë fine që e karakterizon, punën e tij të radhës për “MAPO”, ja ka kushtuar ngërçit institucional ku ka ngecur emërimi i Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, pas refuzimit të presidentit Ilir Meta për të dekretuar emrin e tij.

Në karikaturën e botuar ditën e sotme shfaqet i shpërfytyruar dhe në panik kryeministri, Edi Rama, duke mbajtur në dorë propozimin e hedhur poshtë  për Lleshin ministër përpara derës së Gjykatës Kushtetuese, e cila qëndron e mbyllur me një dryn gjigant. Ulërimës së dëshpëruar të Ramës-Hapu-i përgjigjet i qetë analisti, Çim Peka, duke i përplasur në fytyrë të vërtetën; Vetë e mbylle!

Pas lëvizjes së Ilir Metës për këtë çështje, e cila duket e kapi në befasi kryeministrin dhe gjithë Rilindjen, këta të fundit u kujtuan për Kushtetutën e cila sipas tyre qenka shkelur prej presidentit. Analisti Peka ka qenë nga zërat e paktë, që thelbin e kësaj krize, por jo vetëm, e sheh pikërisht tek atentati i qëllimshëm që Rilindja nëpërmjet manipulimit të procesit të Reformë në Drejtësi i ka bërë Gjykatës Kushtetuese, e cila prej kohësh qëndron e kyçur.

Në emisionin e Sokol Ballës mbrëmjen e lajmit “të keq” që i erdhi Ramës nga presidenca, Peka këmbënguli se shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese, (me qëllim spastrimin e rrugës për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe marrëveshjes me Greqinë për detin, etj) kryeministrit Edi Rama, tashmë po i kthehet në bumerang.