Xhelali ...

E thërrasin shkurt Xhela se emrin e plotë e ka Xhelal.

Ka vite që rri në tortuar tek Tirana e Re, pak më poshtë Librit Universitar.

Nxjerr ca tufa presh, ca mollë të vogla, ndonjë lakër a spinaq. Më parë i shpaloste dhe i freskonte me një shishe plastike që kishte shumë vrima te tapa, si kokë dushi. Dhe herë këndonte, herë bërtiste "hajde mall bio!" e herë shante Saliun. E kishte refrenin e një kënge monotone.

Kishte zbritur Xhela para 20 vjetësh nga malësia e Korçës, nga fshatrat e Oparit.

“3 lekë për ditë pune merrnim. Nuk e ngopëm një herë barkun me bukë, - tregon. -Vdisnin njerëzit nga mungesa e ushqimit. Te varrezat e fshatit po të lije ndonjë krodhe bukë, sa ktheje kokën ngriheshin të vdekurit dhe e përlanin. Kaq keq ishte jeta.”

Erdhi Xhela në Shkozë të Tiranes e me djemtë ndërtoi një shtëpi. Por ia prishi qeveria e sotme dhe tani rri tek baxhanaku.

Djemtë ikën në Greqi. Punojnë me ditë. Vetë nxjerr zarzavate, por i mban mbyllur në një qese. “Vijnë e m’i rrëmbejnë këta të bashkisë”, ankohet.

Tani nuk bërtet më “Hajde mall bio!”, as këndon, por ama akoma shan Saliun. Dhe kujton babain që e kishte oficer pas çlirimit. “Më ka treguar kur i bënë gjyqin Musine Kokalarit. Iu sul babai dhe i shkuli një tufë me flokë,” dhe tregon dorën sikur i ka akoma në grusht.

“E njihte?”, e pyes.

"Jo, bre, fare!”

Xhela ka plot halle, s’ka një çati ku të mbrohet, s’ka fëmijët në terezi, ka gruan uloke, nuk ka pension. Por i harron të gjitha. Gënjehet si fëmija me një akullore, shan e shan Saliun.

Doja ta pyesja për kë do të votojë, por m’u duk pyetje kot. Duket që larg, kuptohet. Sa dëgjoj histori të tilla më vjen ndër mend strofa: “Shqipërinë e mori Xhela. I vu zjarr...”