Pas BE-së, edhe SHBA: Lleshi nuk mjafton!

Pavarësisht se kryeministri, Edi Rama, po bën gjithçka që të “shesë” një Zëvendës Ministër si “ministër”, dje ambasadori i Be-së Luigi Soreca dhe sot ambasada e SHBA në Tiranë kanë deklaruar, se kjo nuk mjafton për një ministri kaq të rëndësishme si ajo e punëve të Brendshme.

Të dyja selitë më të rëndësishme në Shqipëri theksojnë pas komandimit të Sandër Lleshit si “Zv. ministër i parë”, se vetëm një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç, për të siguruar vazhdimësinë e luftës kundër krimit dhe drogës.

“Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët. Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen.

Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme. Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar”, thuhet në reagimin e sotëm të ambasadës amerikane në Tiranë.

Vihet re se në këtë deklaratë nuk shprehet ndonjë entuziazëm për zgjidhjen “ala Rama”, që ju dha postit të ministrit të Brendshëm pas largimit të Fatmir Xhafajt dhe refuzimit që i bëri presidenti Meta këshilltarit të kryeministrit, Sandër Lleshit. Madje këtij të fundit as që i zihet emri në gojë (edhe në deklaratën e ambasadorit Soreca) dhe as që urohet për detyrën e re. Ajo që theksohet në një gjuhë “diplomatike” është, se vetëm “një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve…”

Në të njëjtën linjë ishte ditën e djeshme edhe ambasadori I BE-së në Tiranë Luigi Soreca i cili deklaroi në një aktivitt, se “duhet patjetër një ministri e Brendshme funksionale”.