Ferri i linjave urbane në Tiranë!

Gjatë ditëve të fundit më në fund, rreth 78 autobusë të linjave të ndryshme urbane në kryeqytet janë kontrolluar nga Policia Rrugore e Tiranës, me qëllim verifikimin dhe kontrollin e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e mjeteve të kësaj kategorie. Nga ky operacion dy drejtues kanë rezultuar nën efektin e alkoolit, ndërsa janë vendosur edhe 34 masa administrative.

Policia organizoi disa pika kontrolli me aparat Drager, nisur nga shqetësimet e shumta të adresuara në numrin emergjencave 112, në lidhje me shkeljet e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve të transportit publik qytetas, kryesisht telefonata për përdorim alkooli nga drejtuesit e autobusëve, manovra të rrezikshme në rrugë, mos rregullim shpejtësie etj.

Por këto problematika janë vetëm maja e ajsbergut.

Linjat urbane në kryeqytet prej kohësh janë kthyer në një ferr të vërtetë për qytetarët, duke u rrezikuar përditë vendim e punës dhe shkollën e fëmijëve. Kushtet skandaloze dhe sjellja jo etike që ofrojnë  operatorët në gati të gjitha linjat shpesh janë bërë edhe shkas për sherre dhe mini-revolta. Pavarësisht ankesave të shumta, bashkia e Tiranës vazhdon të mos marrë asnjë masë për kompanitë që janë licencuar në këtë shërbim jetik për qytetarët.

Rritja e çmimit të biletës së urbaneve me 10 lekë prej dy vite e gjysmë, nuk e ka bërë aspak më të lehtë udhëtimin e qytetarëve.

Kushdo që zgjedh transportin publik (dhe këta janë shumica e qytetarëve) për të shkuar nga një destinacion në tjetrin, veçanërisht në orët e para të mëngjesit kur nis Tirana aktivitetin, duhet të presësh gjatë në radhë, pasi urbanët nuk respektojnë oraret e vendosura nga Bashkia e Tiranës që duket të variojnë sipas linjave nga 3-8 minuta.

Mbipopullimi deri në asfiksim, mungesa e kondicionierëve, arroganca e faturinove dhe shoferëve, vonesat e qëllimshme deri në 20 minuta, pa pastërtia etj, etj e kanë shndërruar këtë shërbim jetik për qytetarët në një bombë të vërtetë sociale.

Pavarësisht nga mijëra ankesa të qytetarëve bashkia e Tiranës, refuzon që ti japë zgjidhje këtij problemi, edhe pse çmimi i biletave dhe aboneve është rritur në nivelet që kanë kërkuar kompanitë.

Nuk kanë qenë të pakta lajmet dhe akuzat nga qytetarët se këto kompani që kanë monopolet e këtij shërbimi në kryeqytet kanë futur në thes krerët e bashkisë së kryeqytetit.

Dhe ky version është mëse i besueshëm kur mendon se Lali Eri e nisi punën në krye të bashkisë duke bërë xhiro nëpër urbanë të pastër e me pak njerëz, kurse sot për të hipur në njërin prej tyre qytetarët e Tiranës duhet të bëjnë luftë me bërryla e shkelma.