Takimi Thaçi - Vuçiç, më 8 nëntor në Bruksel

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të takohet me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç me datën 8 nëntor në Bruksel. Lajmi është njoftuar nga zyra e Shefes së diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Në njoftimin e zyrës së Bashkimit Europian lëshuar sot, thuhet se “Federica Mogherini do të mirëpresë një takim të nivelit të lartë Beograd-Prishtinë”.

"Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Zv.presidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini, do të mirëpresë në 8 nëntor në Bruksel një takim për lehtësimin e Dialogut me Presidentin Aleksandër Vuçiç të Serbisë dhe Presidentin Hashim Thaçi të Kosovës.

Në takim të dy liderët pritet të konfirmojnë gatishmërinë e tyre për të intensifikuar punën e tyre për të arritur një marrëveshje ligjore të detyrueshme për një normalizim gjithpërfshirës, që është vendimtar për rrugëtimin e tyre evropian,” përfundon njoftimi.

Takimi pritet me interes brenda dhe jashtë Kosovës, pas debateve të forta që kanë lindur në Kosovë, Shqipëri dhe arenën ndërkombëtare për idenë e hehdur nga palët për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbinë me synim arritjen e njohjes reciproke.