Shqipëria mbyll Botërorin e Peshëngritjes, Briken Calja kualifikohet në Lojërat Olimpike

Përfaqësuesja shqiptare e peshëngritjes ka mbërritur në Tiranë pas një paraqitje relativisht pozitive në Kampionatin Botëror që u zhvillua në Turkmenistan.

Ky ishte aktiviteti i parë që vlente si kualifikues për Lojërat Olimpike që do të zhvillohen në Tokio në vitin 2020.

Me vendin e gjashtë në peshën deri në 73 kg, Briken Calja është i pari dhe i vetmi deri tani nga peshëngritësit shqiptarë që ka siguruar kualifikimin për në Olimpiadë.

339 kg që arriti të ngre Calja në këtë Kampionat Botëror përfshijnë edhe 6 rekorde kombëtare të thyera, pavarësisht dëmtimeve dhe gjendjes jo optimale që ai zhvilloi provën e tij.

Ndërkohë peshëngritësi nga Shtërmeni është kampion i Europës në fuqi zyrtarisht prej mëse 8 muajsh, por shteti ynë ende nuk e ka njohur si të tillë, duke mos i dhënë shpërblimin sipas ligjit.

Aktiviteti i radhës që ka të njëjtën vlerë për kualifikimin në Lojërat Olimpike, mbetet Kampionati Europian, i cili do të zhvillohet vitin e ardhshëm në muajin prill në Gjeorgji.