Incidenti në Tirana-Kukësi/ Shoqërohen në komisariat 12 tifozë bardheblu

Tirana dhe Kukësi e mbyllën në një barazim pa gola ndeshjen më të rëndësishme të javës së 12-të të Superligës, të luajtur pasditen e djeshme në “Selman Stërmasi”.

Menjëherë pas përfundimit të lojës, disa prej tifozëve bardheblu u futën në fushë, duke debatuar me lojtarët, teksa i kërkuan atyre të heqin fanellën.

Policia e kryeqytetit njofton se ka shoqëruar për në komisariat 12 tifozë bardheblu, teksa janë proceduar penalisht për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal.

“Në lidhje me incidentin e djeshëm të ndodhur në stadiumin “Selman Stërmasi” pas përfundimit të ndeshjes midis ekipeve “Tirana- Kukësi”, ju bëjmë me dije se:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë në përgjigjen e kthyer Klubit Sportiv “Tirana” e ka bërë me dije që nuk do të garantonte rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe në përfundim të këtij aktiviteti sportiv, pasi nuk plotësonte  kërkesat në bazë të ligjit  nr. 79/2017 “Për Sportet” dhe ligjit nr.19/2016,  ” Për masat shtesë të Sigurisë publike”.

Lidhur me situatën e krijuar ditën e djeshme pas mbarimit të ndeshjes Policia mori këto masa:

Me marrjen e informacionit ndërhyri në kohë për parandalimin dhe agravimin e mëtejshëm të situatës duke larguar tifozat nga fusha drejt vëndëqëndrimit fillestar.

Menjëherë bëri kapjen dhe shoqërimin pranë Komisariatit të Policisë Nr.2 të 12 tifozave prishës të rendit dhe të sigurisë, si më poshtë:

•       A.  Gj. 18 vjeç,   banues në Tiranë

•       D.  B. 37 vjeç,   banues në Tiranë

•       B.  K. 18 vjeç,    banues në Tiranë

•       I.  K.  18 vjeç,    banues në Tiranë

•       A. V.  31 vjeç,    banues në Tiranë

•       L.  P.  20 vjeç,    banues në Tiranë

•       D.  D. 18 vjeç,    banues në Tiranë

•       K.  Sh.  18 vjeç,  banues në Tiranë

•       H. H.   21 vjeç,   banues në Tiranë

•       O. H.  18 vjeç,  banues në Tiranë

•       K. M.  18 vjeç,   banues në Tiranë

•       L. Zh.  22 vjeç,  banues në Tiranë.

Personat e sipërpërmendur janë proceduar penalisht për veprën penale “Prishje e rendit dhe qetësisë publike”, parashikuar nga neni 274 i Kodit Penal”, shkruhet në njoftimin e policisë në kryeqytetit.