Ndeshjet e sotme të Superligës/ Skënderbeu duel në distancë me Partizanin për kreun

Do të luhen sot katër ndeshjet e mbetura të javës së 12-të të Kategorisë Superiore, ku vëmendja kryesore shkon për duelin në distancë mes Skënderbeut dhe Partizanit, që kryesojnë renditjen me vetëm një pikë larg njëri-tjetrit.

Të dyja skuadrat do të zbresin në fushë  në orën 14:00, Skënderbeu në “Selman Stërmasi” ndaj Laçit, ndërsa Partizani udhëton drejt Fushë Krujës për t’u përballur me Kastriotin e vendit të fundit.

Laçi, në pamundësi për të luajtur në fushën e tij, i pret kampionët në fuqi në kryeqytet, me dëshirën dhe ambicien për marrë një tjetër rezultat pozitiv pas suksesin që arriti të Gjirokastër.

Në përballjen e fazës së parë kurbinasit arritën t’i surprizonin në Korçë bardhekuqtë me një barazim 1-1, por nga ajo ndeshje mungon Myrto Uzuni, tashmë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci.

Në “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, Partizani pret të marrë fitoren e radhës ndaj ekipit më të dobët të Superiores, por që renditja i jep të drejtë të besojë te mbijetesa, për aq kohë sa edhe Tirana e vendit të 7-të është vetëm 6 pikë larg.

Po në orën 14:00, Kamza luan në shtëpi me Teutën, në takimin ndoshta përcaktues për të ardhmen e trajnerit Klodian Duro.

Në fakt, skuadra nga periferia e kryeqytetit zhvilloi një lojë të mirë edhe ndaj Partizanit, pavarësisht humbjes, por pati reagime të ashpra nga drejtuesit e skuadrës, përfshi edhe trajnerin, për gjykimin.

Nga ana tjetër në kampin durrsak mbizotëron optimizmi pas atij suksesi me përmbysje me Tiranën në Shijak.

Te Kamza, duke parë rëndësinë e sfidës kanë vendosur të hapin dyert e stadiumit për tifozët, që konsiderohen mbështetje e madhe në një takim kaq delikat.

Takimi i fundit i javës së 12-të është Flamurtari-Luftëtari, që do të zhvillohet në Vlorë në orën 17:00.