Edi Rama merr vetë në dorë pronat, bën ligj që i jep fuqi të pakufishme

Një nga fushat që ende nuk po del në dritë nga mediat, por as nga opozita është çështja e tjetërsimit të pronave shtetërore dhe atyre private, në favor të një grushti oligarkësh, nga Jugu, në Veri të vendit.

Prej kohësh Edi Rama dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ‘biznesmenë të mëdhenj’, kanë nisur një operacion me të gjitha pronat e vlefshme në vend, duke synuar që të bëjnë goditjen më të madhe dhe përfundimtare për kohën që kanë pushtetin.

Në funksion të këtij operacioni gjigant, i cili po ecën me shpejtësi sidomos në zonat bregdetare nga Saranda në Velipojë, Edi Rama, ka vendosur që të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me çështjen e pronave, ti bashkojë në një dhe ti marrë drejtpërdrejtë nën kontrollin e tij.

Kështu Agjencia e Legalizimeve, ajo e Kompensimit të Ish Pronarëve si dhe Hipotekat, do të bashkohen në një institucion të vetëm i cili do të quhet; Agjencinë Shtetërore e Kadastrës.

Kjo super agjenci do të jetë në varësi direkte të Kryeministrit, Edi Rama, sipas një projektligji të ri që tani është në fazën e diskutimit me grupet e interesit. Këtë shkrirje Edi Rama e kishte paralajmëruar që gjatë fushatë së fundit elektorale, por nuk kishte zbuluar se në krye të punëve të pronave shtetërore dhe atyre private në të gjithë vendit, do të ishte ai vetë personalisht.

Sipas projektligjit në fjalë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, do të jetë institucioni i vetëm shtetëror përgjegjës për administrimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme; për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë; Ligjërimin e ndërtimeve pa leje; proceset e lidhura me tokën bujqësore; trajtimin e pronës, si dhe inventarizimin e pronave shtetërore të trajtuara me një ligj të posaçëm.

Në këtë projektligj përcaktohet, se Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të ketë Drejtorinë e Përgjithshme në Tiranë dhe drejtori e zyra varësie në nivel vendor. Drejtuesit, organizimi dhe numri i strukturave të varësisë, të gjitha emërohen dhe përcaktohen nga Kryeministri Edi Rama.