FOTO/ Haradinaj, diplomates franceze: Presim mbështetjen e Francës për vizat!

"Presim mbështetjen e Francës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët kosovarë". Ky ka qënë thelbi i takimit që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pasur sot me diplomaten franceze, Florence Mangin.

Vetë Haradinaj tregon për bisedën që u zhvillua me delegacionin nga Franca"

"Europa duhet ta shohë Kosovën si konsumatore për ekonominë e saj dhe partnere kredibile për sigurinë rajonale e globale.

Marrëdhëniet bilaterale dhe proceset integruese euro-atlantike ishin në fokus të takimit me delegacionin francez, kryesuar nga Drejtoresha e Departamentit për Europën Kontinentale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Florence Mangin.

Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta si shtet, duke u bërë pjesë aktive e organizatave ndërkombëtare.

Në këtë etapë, presim mbështetjen e Francës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët tanë, për të cilën i kemi përmbushur të gjitha kriteret me kohë dhe mbështetjen për anëtarësim në Interpol, me rëndësi kyçe për parandalimin dhe luftimin e krimit transnacional."