VIDEO/ Presidenti Meta dhe Presidenti i Italisë, takim me arbëreshët

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili ndodhet në Kalabri në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, është shoqëruar sot nga Presidenti italian Sergio Matarella për të vizituar Kolegjin e Shën Dhimitër Koronës.

Ata janë pritur nga arbëreshët, përfaqësuesit dhe autoritetet e tyre vendore, drejtuesit e bashkësive fetare arbëreshe, personalitete të ndryshme, pedagogë, studentë arbëreshë.

Presidenti është pritur me ngrohtësi dhe entuziazëm nga qindra arbëreshë, që kishin dalë ta prisnin. Dhjetra nxënës të shkollave janë afruar ta takojnë Presidentin duke tundur flamuj shqiptarë.

Në përfundim të takimit të dy Presidentët do të përurojnë një pllakatë për nder të 550-vjetorit të Heroit tonë Kombëtar.

Meta pritet të zhvillojë takime zyrtare edhe me drejtuesit dhe përfaqësuesit vendorë të Kalabrisë si dhe të vizitojë Universitetin e Kozencës, në të cilin shkollohen shumë studentë arbëreshë dhe shqiptarë.