Pas sulmit nga Rama, s'vonon Bujar Nishani: Pafajësia e tij, të jetë aktor i mirë teatri

Ish-Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka reaguar në rrjetet sociale pas fjalës që mbajti në Kuvend, kreu i qeverisë Edi Rama, etiketimeve në adresë të tij.

Nishani, pasi ka lajmëruar se do të flasë më gjatë në sonte në 20:30 direkt në “Channel One Tv me gazetarin Bejdo Malo për krizën politike në vend, krimin e organizuar e të tjera”, njofton se po reagon “aspak nga dëshira, por veçse nga pa “hiri” i llogoreve kutërbuese që qelbin dynjanë që në pikë të mengjesit të atij që njihet si kryeministri i Shqipërisë, pafajësia e vetme e të cilit është se mëton të jetë aktor i mire teatri!”

Rama sot në Kuvend sulmoi hapur Presidentin Ilir Meta, i cili i refuzoi emrin e Sandër Lleshit si Ministër i ri i Brendshëm.

Gjatë fjalës së tij, Rama mori shembull dy-tre herë, si referencë, rastin e firmosjes së dekreteve nga ish-Presidenti Bujar Nishani, megjithëse "artilier i zellshëm i PD-së", siç e cilësoi.

Rama tha, duke analizuar të drejtën kushtetuese të Metës për të mos e dekretuar Lleshin: 

"Është pak por e sigurtë që, nëse do të ekzistonte një kompetencë e tillë qoftë edhe e fshehur nëpër rreshtat e atyre 12 kompetencave të shkruara qartësisht s’ka diskutim që paraardhësi i Ilir Metës nuk do ta kishte lënë pa zbuluar. Edhe pse haptazi partiak, botërisht i njohur si artilier i zellshëm i Partisë Demokratike, pasi e bombardoi me të gjithë furinë e grykës së gojës ministrin e propozuar prej meje, Presidenti i 6 i Republikës e firmosi dekretin për atë ministër me duart e lidhura nga Kushtetuta e Shqipërisë".