Pas 12 muajsh, Presidenti Meta dekreton Helidon Bendon në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dekretuar pas një viti, Drejtorin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendon.

Emri i Bendos i ishte propozuar Metës në tetor të vitit 2017 nga kryeministri Edi Rama, por Meta nuk e kishte dekretuar atë. Megjithatë, Bendo e ka drejtuar institucuonin nga posti i zëvendësdrejtorit të i SHISH-it, menjëherë pas largimit të Visho Lika Ajazit.

Helidon Bendo ishte emëruar në detyrën e Zv.drejtorit të SHISH me dekretin e Presidentit të Republikës nr. 9530, datë 22.04.2016 dhe aty ka vazhduar edhe gjatë 12 muajve të fundit, në pritje të dekretimit nga Meta.

Helidon Bendo përpara kësaj detyre, prej 7 vitesh ai ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Drejtorisë në Aparatin Qendror (AQ) të SHISH.

Z.Bendo ka eksperiencë 21 vjeçare në SHISH ku ka mbajtur detyra të ndryshme si: Inspektor terreni, Kryetar Dege, Drejtor Drejtorie në disa Qarqe të vendit dhe Drejtor Drejtorie në AQ.

Z.Bendo ka lindur më datën 12 Maj 1971 në qytetin e Korçës. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Ai është diplomuar në vitin 1993 për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si edhe një trajnim tre-mujor në fushën e sigurisë pranë Universitet George Town në SHBA.

Gjithashtu, z.Bendo ka kryer edhe një sërë trajnimesh mbi çështje të sigurisë brenda e jashtë vendit.

Ai flet gjuhët anglisht e greqisht.

Z.Bendo i pëlqen të lexojë, peshkojë, udhëtoje dhe të kalojë kohë me familjen e tij.