Vrasësi nga Kosova, i kërkuar nga Interpoli, arrestohet në doganën e Morinës
Një vrasës nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestua sot në Doganën e Morinës, Kukës, kur u paraqit për të ikur në vendin e tij. Ai u zbulua nga dokumentat që paraqiti.
Policia e Kukësit njoftoi se Policia Kufitare në Morinë, në dalje, bëri ndalimin e shtetasit kosovar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Skënder Dekaj, 61 vjeç, banues në Istog-Kosovë.
Gjatë përpunimit të dokumentacionit, ky shtetas rezultoi në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Viena Austri, rishikuar më datë 22.08.2017 .
Gjykata e ST.POLTEN/Austri me Vendimin Nr.1/1, datë 27.07.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vrasja”, parashikuar nga neni 75 i Kodit Penal Austriak.
Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës, bënë arrestimin provizor me qëllim ekstradimin e tij në shtetin austriak, si dhe u referuan materialet për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës.