Hallaçi flet në vend të Cungut: Kukësit nuk i lejohen më gabime

Kukësi do të luajë nesër me Tiranën takimin e vlefshëm për javën e 12-të të Kategorisë Superiore.

Në konferencën për shtyp për të folur rreth kësaj sfide doli zëvendëstrajneri Rrahman Hallaçi, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Përse ekipi ka pësuar ulje e ngritje gjatë kampionatit?

Është normale që ndonjëherë përballemi me vështirësi duke ditur që shumica e lojtareve janë bërë pjesë e ekipit gjatë merkatos së fundit por pavarësisht kësaj, ajo që na motivon më shumë është që këta futbollist të cilët janë afruar së fundmi po futen në ritmin e lojës që kërkojmë. Një garanci për ne është loja e cila është në rritje në vazhdimësi. Kuptohet që nuk ndihemi mirë kur përballemi me rezultate negative por ajo që na jep siguri në të ardhmen është loja në rritje sidomos në pjesët e dyta ndërkohë që po punojmë për eliminimin e gabimeve të cilat do të na japin mundësinë e marrjes së rezultateve.

Shkëputja e Skënderbeut dhe Partizanit...

Nuk them se jemi mbrapa sa i takon titullit kampion. Nuk janë shkëputur shumë pikë si Partizani ashtu edhe Skënderbeu, pavarësisht që këto dy ekipe po bëjnë mirë dhe është normale që do të përballen me momente jo të mira, pasi kampionati është i gjatë.

Ndeshja me Tiranën...

Tirana është e vlerësuar gjithmonë, sepse ka histori të madhe, por edhe referuar ndeshjes së fundit mendoj që i ka munguar fati për të arritur tek fitorja. Ndërkohë neve nuk na lejohet të bëjmë më hapa fals.

Sa punë ju kanë prishur dëmtimet?

Kemi pasur disa dëmtime si ajo e Musollit dhe mbrojtësit të majtë, Rrumbullakut, por e rëndësishme është që kemi kontingjentin e duhur për ndeshjen me Tiranën. Ne stërvitemi në fushë me bar artificial dhe më pas kalimi te fusha me bar natyral ka problemet e veta, por kuptohet se pjesa më e madhe do të jetë në fushë.