'Rënia e ministrit të tretë, dëshmi e krizës së thellë, lëvizja e ardhshme do të jetë largimi i Ramës'

“Lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës!”. Kjo ka qënë deklarata e kreut të opozitës Lulzim Basha, i pyetur nga gazetarët sot në Korçë, lidhur me mosdekretimin nga Presidenti të kandidatit Sandër Lleshi të propozuar nga kryeministri, si Ministër i ri i Brendshëm i vendit.

“Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë te gjitha aspektin kushtetues për dekretimin apo mos dekretimin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Edi Rama- tha Basha. - Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ardhshme në atë që nuk është lojë shahu, por ka të bëjë me fatin e shqiptarëve, është largimi i vetë Edi Ramës.

Rënia e ministrit të tretë të propozuar nga Rama është dëshmi e krizës së thellë politike dhe morale. Vendi është pa kryeministër, vendi është pa Gjykatë, vendi është pa Prokurori. Përgjegjësia për këtë është e organizatës kriminale të Rilindjes dhe përgjegjësia ngelet mbi Ramën."