Profesioni më vdekjeprurës në Kosovë

Ndërtimi në Kosovë, sektori më i lehtë për t'u punësuar, është më vdekjeprurësi. Këtë e thonë statistikat e viteve të fundit. Vetëm sivjet janë regjistruar 18 vdekje. Sipas specialistëve, shkaqet kryesore janë mungesa e kulturës sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë krahas mungesës së trajnimit të punëtorëve.

Dy punëtorë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thanës se përveç punëdhënësve, edhe ata vetë janë fajtorë. 

“Skelat në mëngjes janë me rrezik. Duhet shpesh të hipim në katin e tetë ose edhe më lart, se tani po ndërtohen objekte edhe më të larta. Problem tjetër mbetet izolimi i skelave me rrjeta mbrojtëse.”

“Nganjëherë i kemi litarët e lidhemi, nganjëherë edhe vetë punëtori nuk e merr litarin, se harron, dhe në atë mëngjes ai është problemi kryesor”, thotë një punëtor tjetër.

Shifrat e vdekjeve në këtë sektor, në pesë vjetët e fundit, janë shqetësuese. Sipas të dhënave zyrtare, 93 punëtorë të ndërtimtarisë kanë vdekur në vendin e tyre të punës, e shumë të tjerë kanë marrë lëndime të rënda.