Ngacmimet seksuale ndaj grave/ Studimi: 38% e të anketuarave në Shqipëri e pranojnë dhunën

Me gjeste, veprime fizike apo fjale fyese, ngacmimet seksuale janë të përhapura gjerësisht në Shqipëri. Astiri është një nga zonat e Tiranës më të prekura nga ngacmimet seksuale. Në një studim të publikuar së fundmi, 18 nga 100 gra dhe vajza të kësaj zone kanë pohuar se kanë rënë pre e ngacmimeve seksuale, ku dominojnë ngacmimet verbale, si komente për pamjen e jashtme apo fishkëllima.

Pjesa më e madhe e vajzave refuzojnë të flasin, por ka mes tyre që guxojnë ta pohojnë praninë e shpeshtë të këtij fenomeni.

“Po të gjitha jemi ngacmuar në rrugë, në kafe, në shkollë”.

“Të gjitha jemi pjesë e ngacmimeve”.

“Po, të ngacmojnë djemtë e rinj që rrinë trotuareve dhe ju fishkëllejnë vajzave kur kalojnë”.

Madje kjo studente 22-vjeçare na tregon se ngacmimet e bëra ndaj saj, kanë shkuar përtej verbales.

“Jam ngacmuar shumë herë, në autobus, madje edhe tek bulevardi, jam abuzuar pasi me kanë prekur, abuzim quhet”.

Si ke reaguar?

“Nuk kam reaguar sepse u trondita shumë”.

Ishte ditë apo natë?

“Ka qenë mëngjes, ora 08:00, pasi po shkoja në shkollë”.

Numrin e lartë të ngacmimeve seksuale, sociologët e sqarojnë me terrenin maskilist shqiptar.

Sipas studimit “Ngacmimi seksual dhe llojet e tjera të dhunës me bazë gjinore në hapësirat publike në Shqipëri”, 38 për qind vajzave dhe grave të anketuara në Tiranë, Durrës dhe Fier janë rrezikuar ose ekspozuar ndaj ngacmimeve dhe dhunës seksuale para ose pas moshës 15-vjeçare./tv klan