Pranohet kërkesa e familjes Kaçifa: edhe ekspertizë greke për vrasjen e minoritarit

Ekspertiza mjeko ligjore mbi trupin e 35-vjeçarit Konstandin Kaçifa që u vra nga forcat RENEA dy ditë më parë, do të kryhet edhe nga një mjek grek.

Kjo ishte kërkesa e familjes së tij që i përket minoritetit grek në Bularat, e cila ka pasur dyshime për mënyrën se si ka ndodhur vrasja nga forcat speciale dhe ka kërkuar që trupi i djalit të mos ekzaminohet vetëm nga mjekë shqiptarë.

Kësisoj, mjeku grek pritet të vijë në Gjirokastër, në morgun ku prej dy ditësh mbahet ende i pavarrosur Konstandin Kaçifa.

Çështja po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Pas vrasjes së 35-vjeçarit Kaçifa, debate janë ndezur në të dyja anët e kufirit, ku janë përfshirë edhe politikanë. Pala greke kërkon hetimin e ngjarjes dhe është në pritje të rezultatit të hetimit.