Kush është ‘hetuesi i hekurt’ gjerman, që zbarkoi në Tiranë e udhëhoqi operacionet e fundit

Rreth dy javë më parë, mediat gjermane raportuan se hetuesi i njohur i antikrimit, Dieter Romann, do të zbarkonte në Tiranë.

Ai do të vinte me disa dosje të forta dhe ajo që ishte e sigurt; vizita e tij nuk do të ishte thjesht një kortezi dhe shkëmbim informacioni për krimin e organizuar shqiptarë që vepron fuqishëm edhe në Gjermani dhe vende të tjera të Europës.

Roman erdhi vërtetë në Shqipëri së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë gjermane dhe si pasojë, policia dhe prokuroria shqiptare në bashkëpunim me hetues gjermanë dhe forca të DEA, më në fund u detyruan që të bëjnë dy goditje të mëdha, siç ishte zbulimi i laboratorit të heroinës në Has dhe arrestimi i organizatës së Avdylëve në Shijak e cila ishte edhe organizatorja e aktivitetit.

Mediat gjermane e kanë cilësuar Dieter Romann si ‘hetuesi i hekurt’ dhe ai u bë gati legjendë për publikun për historinë e irakianit Bashar i cili përdhunoi dhe vrau një vajzë të re në Gjermani.

Edhe pse mes Gjermanisë dhe rajonit kurd nuk ka marrëveshje ekstradimi, ai udhëtoi drejt rajonit të rrezikshëm, rrëmbeu Bashar dhe e çoi në Gjermani përpara drejtësisë.

Pavarësisht se ndaj tij ka nisur një hetim ‘për rrëmbim personi’ Romann në një prononcim për gazetën ‘Bild’ nuk është shfaqur fare i penduar për shkeljen e rregullave.

I kisha borxh nënës së vajzës së ndjerë-tha ai për gazetën e njohur.