U arrestua pasi u merrte para të burgosurve, pranga edhe shoferit të ish-deputetit socialist

Pas arrestimit të ish- drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve njëherazi ish-deputetit socialist, Arben Çuko, të tjera detaje kanë dalë në dritë. Mësohet se mbrëmjen e kaluar përpos Çukos është arrestuar edhe shoferi i tij, Qerim Musha.

Dyshohet se Musha është i implikuar në ryshfetin që ish-drejtori i Burgjeve u merrte të dënuarve për lejet dhe transferimet.
Çuko akuzohet se u merrte para të burgosurve dhe emri i tij doli pas përgjimeve që po i bëhej një grupi për trafik droge. Policia bën me dije se Çuko u merrte nga 1500 deri në 3 mijë euro të burgosurve.

Arben Çuko ka tentuar të transferojë nga burgu të dënuarin  Olsi Karagjozi, i dënuar me 22 vite burg në këmbim të parave.

Çuko deri në vitin 2017 ishte deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë, mandat të cilin e braktisi për detyrën e re të si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve. Propozimi për këtë post u bë nga vetë kryeministri Edi Rama.

Çuko më pas bëri kërkesë në Kuvend për të lënë mandatin dhe kjo detyroi KQZ-në që t’i rikthehej edhe njëherë listave të PS-së në qarkun e Fierit. Ai u shkarkua në shtator të këtij viti nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.