Lul Berisha jashtë vendit, dyshime se operacioni për arrestimin u dekonspirua

Mbyllet pa arrestimin e te kerkuarit Lul Berisha operacioni i djeshem i forcave speciale ne Durres e Shijak. Forcat speciale kanë ushtruar kontroll në shtëpinë e Lulzim Berishës, por ai nuk ndodhej në shtëpi në atë moment dhe për rrjedhojë nuk është arritur arrestimi i tij.

Burimet thanë se nga Prokuroria është firmosur një urdhër arresti për ish-kreun e “Bandës së Durrësit”, Lulzim Berisha. Për ekzekutimin e këtij urdhërarresti, në drejtim të qytetit bregdetar është nisur një grup operacional, në përbërje të të cilit kanë qenë efektivë të forcave speciale RENEA, FNSH, si dhe efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale.

Burimet thanë për Panorama se është ushtruar kontroll në banesën e Berishës, por ai nuk ndodhej aty. Gjatë kontrollit janë sekuestruar disa objekte që mund të jenë në dobi të hetimit, por që nuk mund të konsiderohen të jashtëligjshme.

Nga të dhënat e siguruara më vonë nga Policia ka rezultuar se Lulzim Berisha nuk ndodhej në Shqipëri, pasi ishte larguar jashtë vendit bashkë me familjen, çka nuk përjashton mundësinë e një dekonspirimi. Sipas të dhënave, hetimi ndaj tij i përket së njëjtës dosje me atë të të fortëve të Shijakut, të cilët u arrestuan po dje në një operacion.

Policia e Shtetit ndërhyri duke goditur familjen Avdyli në Shijak dhe arrestuar tre vëllezër dhe kushëririn e parë të tyre. Gjithashtu janë shoqëruar edhe 20 anëtarë të bandës që akuzohet për trafik heroine në Shqipëri dhe në Gjermani.

Burimet thanë se të arrestuar janë vëllezërit Astrit Avdyli, që është “koka” e grupit të dyshuar kriminal, Flamur Avdyli dhe Shkëlqim Avdyli. Gjithashtu është arrestuar edhe kushëriri i tyre Jasim Avdyli, së bashku me shtetasin H. Hoxha, të dënuar në Turqi për trafik heroine. Flamur Avdyli është emigrant prej vitesh në Gjermani, ndërsa akuzohet për trafik heroine atje dhe disa vende të tjera të Bashkimit Europian.

Në emër të vëllezërve Avdyli janë të regjistruara dhjetëra biznese, mes tyre hoteli luksoz në Durrës “Germany”. Sipas informacioneve nga Policia e Shtetit, operacioni nisi pas përgjimeve dhe të dhënave që janë sjellë nga Gjermania. Madje, një operacion i tillë u paralajmërua pak ditë më parë nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë takimit që ai pati me presidentin e Policisë Federale Gjermane.