Rilindja e luftës së klasave në Shqipëri

Pothuajse gjysma e popullsisë shqiptare pranoi se diktatura e Enver Hoxhës ishte një sistem i mirë, por zbatimi kishte shumë defekte. Ky sondazh është kryer nga OSBE-ja.

Nuk do të ishte aspak surprizë kur pas disa kohësh nëse bëhet i njëjti sondazh, ky opinion të ishte mendim shumice.

Sepse, edhe pa bërë asnjë sondazh, ajo që ne e quajmë demokraci është gjithashtu një sistem i mirë, por është zbatuar dobët. Ka arritur një pikë ku komunizmi është vetëm një shaka në krahasim me mënyrën tonë të demokracisë.

Megjithatë të dy sistemet kanë diçka të përbashkët, që është lufta e klasave. Qeveria e Rilindjes së Edi Ramës është vazhdimi i luftës së klasave me një përkushtim të palëkundur që ka nisur nga Enver Hoxha. Natyrisht ai nuk ishte i vetmi. Në çerek shekulli të tranzicionit demokratik, pothuajse të gjithë udhëheqësit e Shqipërisë kanë bërë pjesën e tyre që të ketë një trashëgim të pushtetit nga udhëheqësit e moshuar komunistë tek bijtë, bijat dhe nipërt e tyre: Sulejman Bushati, Llambi Gegprifti, Spiro Koleka, Rrapo Dervishi, Lenka Çuko, Babë Myslimi dhe shumë të tjerë.

Prania e tyre nuk është vetëm në Qeveri, por edhe në sistemin gjyqësor dhe institucionet ndërkombëtare. Sot, “Rilindja” e Edi Ramës është në kulmin e zbatimit të luftës së klasave, por në një mënyrë të pazbuluar më parë. Nomeklatura e re, e zgjedhur me kujdes nga elita e mëparshme komuniste, ka hedhur rrënjë të thella. Një nomeklaturë e tillë brenda 3 vitesh ka arritur që të kthejë përmbys politikat ekonomike.

Përmes “reformave”, “krijimit të shtetit”, “ekonomisë formale”, zoti Rama ka ushtruar një presion sistematik nëpërmjet inspektorëve të tij, duke përdorur fjalë të tilla si ‘burg’ dhe ‘ndëshkim’ e duke u bërë presion shumë bizneseve.

Liritë e njeriut janë zbehur në mënyrë dramatike. Në ditët e sotme të blesh një makinë të re me paratë e kursyera apo nëse keni rrogë të mirë, është njësoj si të hysh në Ministrinë e Brendshme me një armë pa leje. Konfiskime masive. Gjoba! Burg! Këto janë pasojat e mundshme që priten nga Qeveria e Edi Ramës.

Kërcënime dhe një terror i tillë si në kohën e diktaturës së hershme, kanë krijuar një klimë si lufta e klasave pasi po aplikohet me selektivitet. Mediat janë nën kontrollin qeveritar dhe janë kthyer në zyra propagande në emër të Qeverisë. Ndërkohë, po bëhen përpjekje për të marrë nën kontroll mediat online me anë të kërcënimeve dhe dënimit me burg.

Fëmijët e klasës së re sunduese po studiojnë jashtë shtetit. Ndërkohë Edi Rama ka sulmuar ashpër Universitetet publike dhe i jep prioritet shkollave profesionale. Të gjithë shqiptarët që nuk janë pjesë e kësaj klase të re politike, janë të dënuar që të kenë një sistem arsimor të kalbur.

Heshtja e opozitës dhe një distancë e Partisë Demokratike ndaj këtyre shantazheve aktuale politike, po ndihmon për një jetëgjatësi të kësaj klase. Sot kjo gjë është kuptuar në Shqipëri, megjithatë nuk ka asnjë forcë politike që të marrë përsipër me çdo kosto largimin e kësaj elite komuniste.

Lufta e klasave kërkon një përgjigje serioze. Regjimi i Edi Ramës nuk ka mëshirë dhe padyshim ata meritojnë një përgjigje të njëjtë. Ekzistojnë dy opsione për t’u përballur me një kërcënim të tillë neo-komunist:

Kanë një prej partive që ka denoncuar tradicionalisht krimet komuniste dhe luftën e klasave

Të krijohet një forcë e re politike që duhet të ketë si çështje kryesore luftën kundër këtyre neo-komunistëve.

Nuk duhet të ketë dhembshuri për ata që kurrë nuk kanë ndjerë diçka të tillë për të tjerët, që janë bërë të ashpër si paraardhësit e tyre, duke luftuar çdo armik politik dhe duke instaluar mjerimin dhe urinë e vazhdueshme.

/Opinion nga Armir Shkurti botuar në ‘Eurasia Review’ – Përshtati Syri.net/