VIDEO e fshehtë/ Dëshmia e Fred Alizotit që fundos çiftin Rama- Arta Marku

Pasi rilindja dështoi që të sillte ashtu sikurse pati premtaur një analizë nga një laborator ndërkombëtar, për të thënë se përgjimi i Babales qe një manipulim, ajo përdori skenarin ‘B’.

Krijimin e një dëshmitari fals.

E gjithë trimëria e Ramës nëpër studio dhe akuza e prokurorisë u vërtitën tek një personazh, të cilin e kishin paralajmëruar muaj më parë mediat pranë qeverisë, dhe që do pohonte se kishte marrë para, për të lujtur zërin e Agron Xhafës.

Fredi Alizoti u konsiderua nga mbështetësit e qeverisë në panelin e ‘Opinion’ si njeriu që po nxirrte të vërtetën.

Por papritmas në emision ndodhi një kthesë e beftë:

Salianji nxori videon ku Fredi Alizoti ishte takuar më shefin e policisë Ardi Veliu, dhe ai me dorën e tij e kishte çuar në prokurorinë e Arta Markut, ku do luante rolin e dëshmitarit të rremë.

Alizoti i pranonte të gjitha këto me gojën e tij, me zë dhe figurë.

Pra tani nuk ka më asnjë dyshim se ka rënë edhe alibia e alibisë së alibisë, që vërteton tezën e Ramës se videopërgjimi qe i manipuluar.

Sepse pas kësaj videoje rezulton, në rastin më të keq, që i gjithë hetimi është fals, ndërsa në rastin më të mirë, se dëshmitari kryesor i akuzës është një njeri krejtësisht i pabesueshëm.

Dhe përpos Alizotit prokuroria nuk kishte asnjë fakt tjetër për të shpallur se audio përgjimi i Agron Xhafajt është i manipuluar.

Dhe kjo ngjarje, nuk është thjeshtë nxjerrja e një gënjeshtre më shumë si ato për avionët e drogës, Dritan Zaganit, Xhisielës e me radhë.

Ajo është prova flagrante që tregon për një mafie që ka kapur shtetit, ku drejtori i policisë shtrembëron provat, ku prokuroria i bën fresk qeverisë dhe zbaton direktivat e saj, ku ai prokurori Osmani që i mbajnë si kosë në qafë vettingun, është i gatshëm të ‘besojë’ çdo fabul.

Nëse deri tani më ka pasur dyshime nëse në përgjim ishte vëllai i ministrit të Brendshëm, tani kjo as që diskutohet më.

Madje po ta kthesh filmin nga pas, më mirë ta kishin pranuar në fillim që ishte zëri i Agron Xhafës, sesa të telendiseshin kështu duke i rënë alibitë njëra pas tjetrës. /Lapsi