Edvin, lufto varfërinë, jo Lulin!

Gjatë këtij pesëvjeçari socialist plot tregues të ekonomisë janë duke marrë rrokullimën. Kryesorja; sot shqiptarët konsumojnë më pak se para ca vitesh.

Pra jetojnë më keq.

Andaj dhe mijëra biznese kyçen e thuajse 30% e popullit ia ka mbathur drejt Evropës për një çapë bukë. Ose shqip, për të mos vdekur.

Kuptohet që në këtë klimë s’do ketë investime, pra më pak rrugë, shkolla, spitale dhe plot pesimizëm kombëtar.

Kur populli mendon se qeveria që ka zgjedhur do aplikojë politika zhvillimi, zhgënjehet nga që Rama mendon veç për luftën ndaj opozitës, asnjë betejë ndaj varfërisë. S’guxon kush t’i përmendë psh; bajpasin e Fierit se menjëherë të tregon Babalen.

I kërkon shëndetësi falas, siç e premtoi, të rrëfen shkrime nga revista të botës që disa gazetarë të paguar qenkan mahnitur në atdheun tonë granit e fanar i gjallë.

I thua se sivjet u mbyllën 133 shkolla nga që popullsia po plaket e po rrudhet,ai të tregon në spote televizive se Basha i ka kërkuar pushtet në tavolinë.

Do informacion mbi marrëveshjen e detit me Greqinë, karagjozi ynë flet për kunatin e Lulit. I tregon Banka Botërore se afër 900 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri. Edi merret me rakinë që deguston Ristani.

Të ndodhë kjo anomali në cilindo shtet të botës njerëzit do ngriheshim e pale se ç’mund t’u bënin udhëheqësve të tyre. Dhe me të drejtë. Populli i çdo vendi voton për qeverinë.

Qysh të nesërmen fituesi është menaxher i jetës së të gjithëve. Edhe i atyre që nuk e votuan.

Por ja që ka një shtet unik, që askund nuk e gjen. Quhet Shqipëri. Atje kryeministri nuk lufton varfërinë, vjedhjen, korrupsionin, paaftësinë, arrogancën, banditizmin. Jo.

Nga mëngjesi në darkë mendon, shpif, përgjon, përgojon veç opozitën. Si e si të ndjehet triumfator në darkë e gjumin ta bëjë si një gladiator që ka vrarë shokun.

Kështu ka nisur ky pesëvjeçar e kështu me sa duket do sosë. Luftë e energji per të denigruar dhe përqeshur opozitën. Non stop dhe video, arrestime, akuza, rrena, përbaltje. Sajime, inskenime, demonstrime. Në krah nuk mbajnë kallash e bomba, por mjetet moderne të shfarosjes në masë; tv, gazeta, portale, buxhete dhe para të pista sa mali i Himalajës.

Paçka se atdheu rënkon nga plagët dhe njerëzia ikin nga mali, deti dhe ajri. Nuk i mban më ai dhe, nuk i ushqen e nuk i gëzon. Se qeveria qysh në mëngjes mban në dorë shkopin e bejsbollit dhe gjurmon opozitën këmba këmbës deri sa t’ia marrë frymën...

Siç po na përdredh qafën të gjithëve.

Qeveria e ka gjetur “modulin” e zhvillimit: Plumba Lulit dhe bomba opozitës!

Njerëz, lëvizni se po ikim në pçkts si vend e si popull. Mos harroni se gjumi ynë në 1944 na la në burg 50 vjet rresht.

Kujtojeni, shkunduni!

Shpëtoni!