D’Anna drejt largimit, ish trajneri i Italisë kandidat për stolin e Chievos

Ndonëse pjesëmarrja e Chievos në Serinë A ishte në dyshim deri në orët e fundit para startit të kampionatit italian, skuadra veroneze i mbijetoi “gjykatës” dhe u dënua që ta nisë rrugëtimin e sezonit të ri me -3 pikë në renditje.

Kur kanë kaluar 8 javë nga starti i kampionatit, veronezët nuk e kanë prekur ende kuotën zero pikë, pasi kanë regjistruar vetëm dy barazime dhe plot 6 humbje, të cilat kanë shqetësuar së tepërmi presidentin Luca Campedelli.

Ky i fundit ka vendosur të shkarkojë trajnerin Lorenzo D’Anna, dhe po mendon tashmë për zëvendësuesin e tij, me një listë të gjatë emrash, që mund të ulen në stolin e Chievos, me misionin e vështirë të mbijetesës.

Roberto Iachini dhe Gianpiero Ventura janë ndër kandidatët më potencialë, me ish teknikun e Italisë, që është gati për një aventurë të re dhe ka eksperiencën e duhur për të nxjerrë skuadrën nga kjo situatë.

Mes drejtuesve të Chievos dhe listës së trajnerëve kanë nisur bisedimet tashmë, pasi plani i klubit është që rokada në pankinë të bëhet gjatë ndërprerjes së kampionatit, për shkak të Ligës së Kombeve dhe që trajneri i ri të ketë sadopak kohë të punojë me skuadrën, para se ta drejtojë në fushën e lojës.