Gega: Kukësi jo barometër për titullin, presioni tek ata që kanë humbur

Te Partizani nuk ka vend për eufori, ndërsa Kukësi nuk është barometër për të thënë se të kuqtë janë pretendentë kryesorë për titullin. Skënder Gega, në konferencën për shtyp dy ditë para sfidës me verilindorët, vazhdon të ruajë një profil të të skuadrës së tij, e cila duhet të përmirësohet nga dita në ditë, për të folur më pas për objektivin final.

Kukësi u mund nga Skënderbeu javën e kaluar, a është momenti i duhur për të përfituar?

Edhe pse ka humbur me Skënderbeun, Kukësi do të impenjohet 100% kundër nesh. Është një ekip për t’u vlerësuar. Ne jemi gati për të dhënë më të mirën.

A i druheni presionit që mund të ketë ekipi si kryesues?

Kanë kaluar vetëm 7 javë, kemi punuar dhe jemi munduar që të largojmë presionin. Jemi të ndërgjegjshëm, që është vetëm fillimi. Njeriu duhet të jetë me këmbë në tokë. Patjetër që rritet presioni gradualisht. Kjo ndeshje është ndeshja e radhës. Do t’i vlerësojmë dhe respektojmë aq sa duhet, por jemi gati që të japim maksimumin.

Si po e mbani nën kontroll euforinë?

Mundohemi të flasim dhe të punojmë. Të korrigjohemi nga gabimet edhe pse me Tiranën, Flamurtarin, Teutën mendoj që kemi bërë një performancë të mirë. Jemi munduar që secili nga ne të korrigjohet. Shpresoj të futemi me po atë ritëm dhe dëshirë.

Më shumë presion keni ju apo Kukësi?

Nuk ka vend për presion, ne po shikojmë punën tonë dhe kemi objektivat tona. Do t’i marrim ndeshjet një nga një. Nuk kemi asnjë presion. Mbase presioni mund të jetë te kundërshtarët, sepse vijnë pas një humbje. Ne thjesht duam që të jemi 100 % fizikisht mirë dhe të fokusuar. Më pas çdo gjë t’ia lemë 90-minutëshit.

Tani që jeni në vend të parë, mund ta pranoni se Partizani është për titull?

Në qoftë se pas 2 javësh mbaron kampionatin, do të thosha me kënaqësi që jemi për titull. Është një kampionat jashtëzakonisht i gjatë. Çdo gjë mund të ndryshojë në 2 javë. Shpresoj që kurrë të mos ndryshojë, por ju e shikoni se është një kampionat mjaft i ngjeshur dhe i fortë. Ekipet janë shumë afër. Ky është qëllimi. Duhet të kemi durim dhe t’ia lemë kohës.

Është më e lehtë për ju të menaxhoni një skuadër me futbollistë të rinj në moshë?

Unë kam punuar me 21-vjeçarët, është një status tjetër me klubet. Jam i kënaqur. Në fillim jam ballafaquar me lojtarët me eksperiencë që kanë një peshë të madhe te Partizani. Kemi gjetur gjuhën e përbashkët. Është me e lehtë të punosh me moshën e re, sepse lojtarët vijnë me një dëshirë të madhe. Në qoftë se ne i tregojmë objektivat dhe detyrat, është shumë më e lehtë. E rëndësishme është që këta të rinjtë të bëjnë progres. Të luash karshi Trashit, Telushit, Alban Hoxhës, them se është benefit i madh. Liderët që kemi në ekip janë në gjendje të mirë dhe në ato standarde që mua më ndihmojnë si trajner.

A është Kukësi një barometër për objektivin titull të Partizanit?

Nuk besoj se është barometër për titullin. Është një ndeshje e radhës që ne duhet t’i marrim maksimumin. Është ndeshja e parafundit e fazës së parë. Kemi dhe 3 faza të tjera. Do të mundohemi të korrigjohemi. Një pjesë po bën progres të jashtëzakonshëm, një pjesë tjetër është po ajo që ka qenë. Numri i lojtarëve pretendentë për të luajtur, po rritet edhe në stol. Në këtë ndeshje shkojmë vetëm për fitore, nuk kemi asnjë qëllim tjetër. Është futboll edhe t’ia lemë fushës.

Hebaj nuk e ka gjetur ende rrjetën, ndërkohë që Mensah shënoi…

Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur që Mensah, ka ardhur te golit. Po t’i shikoni dhe golat, të gjithë kanë shërbyer nga një pjesë. Kjo është e rëndësishme për mua. Hebaj s’e ka pasur atë fat që të jetë afër golit. Punojmë çdo ditë dhe deri ditën e pasnesërme do të bëjmë më të mirën. Ky është perceptimi i njerëzve, nuk janë absolute zgjedhjet që bëjmë. Të gjithë janë gati. 15-16 veta janë pretendentë kryesorë për të luajtur. Vetëm se duhet të edukohemi me vendimet. Në këtë prizëm nuk lëviz nga idetë e mija.

Është shpallur lista e Kombëtares. Si i komentoni zgjedhjet e Panuccit?

Kam qenë në pozicionin e trajnerit të ekipit Kombëtar U21. Rezultatet do të tregojnë nëse ka gabuar apo jo. Performancat e lojtarëve që janë grumbulluar me Kombëtare do ta tregojnë nëse Panucci ka bërë zgjedhjet e duhura. Është kompetencë e tij. Unë mendoj se jo vetëm te Partizani, në Superiore, ka lojtërë që kanë vlera, për t’u afruar, për t’iu dhënë mundësia. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë. Për fat të mirë e shikoj që Trashi, Telushi apo dhe Asani nuk janë të shqetësuar, pse nuk janë thirrur në Kombëtare. Për mua është e rëndësishme që ata të kenë një performancë të mirë me Partizanin. Me Panuccin, pa Panccin, ai që luan futboll një ditë do të shkojë aty ku duhet.

A është normale që kryendeshja Kukësi-Partizani të luhet ditën e hënë në orën 13:45?

Është e vërtetë, është shqetësim. Unë personalisht nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe në Superiore, ndoshta jashtë shtetit luhet në 13:45, por kjo nuk është zgjidhja jonë. Ne nuk jemi ekipi pritës. Në fakt, u shqetësova, sepse duhet të ndryshojmë edhe oraret, edhe ushqimin. Rregjimi ynë do jetë ndryshe. E rëndësishme është që në çdo lloj situate, në çdo lloj orari, ne të jemi gati. Nuk ka kthim mbrapa. Për mua do të ishte shumë interesante që tifozët, që janë lojtari i 12-të, të vijnë dhe të na mbështesin. Lojtarët janë të lidhur shpirtërisht me tifozët.

Mos valë është manovër e kundërshtarit për t’ju dëmtuar?

Do luajmë në të njëjtën fushë, në të njëjtin orar. Nuk besoj se kundërshtarët e kanë bërë këtë gjë për manovër. Nuk më ka shkuar mendja dhe nuk më intereson.

Para se të vinit te Partizani, u përfol për një kalim te Kukësi…

Është diçka e kaluar, që nuk përfundoi. Madje nuk shkoi as në gjysmë. Thjesht dëshira e 2 palëve. Unë e respektoj Kukësit dhe vazhdoj ta respektoj, sepse është një klub me vlerë. Presidenca ka bërë të pamundurën. Do isha gati të punoja, thjesht ndoshta nuk qe momenti. Më mirë që s’u bë. Sot jam në shtëpinë time.