Komisioneri Publik, kundër vendimit të KPK për këshilltaren ligjore të Gjykatës Kushtetuese

Komisioneri Publik, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr.65, datë 13.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Valbona Bala (Pajo), këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese.

Në një njoftim për publikun thuhet se “në vlerësimin e Komisionerit Publik, pjesa urdhëruese e vendimit nr.65, datë 13.09.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës së nenit G të Aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

Në njoftim thuhet se “bazuar në përmbajtjen e pikës 3 të nenit F të Aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që kjo mangësi në vendimmarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohet, pas shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.”

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.