VIDEO/ Dhuna ndaj nxënësve në Mengël, PD padi policisë së Elbasanit

Një ditë pas protestës së nxënësve për mbylljes e shkollës 9-vjeçare në Mengël të Elbasan, ku nuk mungoi dhuna policore ndaj fëmijëve, ka marrë hapat e vet Partia Demokratike.

Deputeti i PD-së Luçiano Boçi ka depozituar sot një kallëzim penal për komisariatin e Elbasanit. Në padinë në fjalë, denoncohet se policët kanë ushtruar dhunë ndaj fëmijëve.

Protesta e prindërve dhe fëmijëve të shkollës 9-vjecare në Mengël të Elbasanit u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike. Ata kërkuan hapjen e shkollës së tyre, ndërsa në shenjë kundërshtimi bllokuan rrugën për gati 6 orë. Protesta nisi prej orës 12:00, ndërsa gjendja shëndetësore e fëmijëve erdhi duke u rënduar, nga lodhja dhe uria.

Protestuesit u ulën në mes të rrugës dhe bllokuan qarkullimin në aksin kombëtar Elbasan-Librazhd duke krijuar radhë të gjata automjetesh. Në videot e publikuara dje, shiheshin fëmijë që qanin, madje kishte dhe nga ata që ishin plagosur në fytyrë.

Fëmijët e traumatizuar, u shprehen mes lotësh se janë goditur nga Forcat Speciale.

‘Më gjuajtën policët te koka!’ dëgjohet të thotë një djalë i vogël, me lot në sy.