Le tua qepë Edi Rama edhe prej mëndafshi, ‘qentë nuk mbajnë dot brekë’!

Shqipëria ka ngelur në një kurth të keq, malinj, prej të cilit shanset për të dalë shpejt prej tij, sa vijnë dhe pakësohen.

Nga njëra anë kemi Edi Ramën me organizatën e tij ‘Rilindja’, të cilët tashmë nuk e fshehin më se cila është struktura kriminale  mbi të cilën mbështetin pushtetin dhe mbijetesën e tyre politike dhe nga ana tjetër, një opozitë të cilës ‘nuk i lejohet’ për të bërë revolucion në mes të Europës dhe e ngecur, brenda  një misioni sizifian, për të rrëzuar këtë klikë, nëpërmjet votës.

Një furtunë e vërtetë propagandistike dhe financiare kaloi këto ditë, mbi mediat dhe rrjetet sociale, për të ‘hequr qafe’ thelbin politik të historisë së 24-vjeçares Xhisiela Maloku, me djalin e deputetit të Rilindjes Rrahman Rraja. Batare të përqendruara janë lëshuar  kundër opozitës dhe opinionit të shëndoshë, të cilët dashkan të nxjerrin përfitim politik nga një vajzë e gjorë, që ka probleme me ish të dashurin.

Shumëkush edhe u lëkund duke menduar; se çfarë të keqe ka që edhe djali i një deputeti, ti japë ndonjë shpullë a shkelm ish të dashurës së tij. Le të përgjigjet për ‘përndjekje’ dhe kaq është kjo histori. Ku hyn këtu babai i tij Rrahman Rraja, që është zgjedhur nga votat e popullit të lirë të Niklës ku edhe kur hyn RENEA për ndonjë kontroll quhet fitore historike?! Taulant Balla aq  më pak, kurse lidhja me Edi Ramën është ku e ku më larg!

Deri në këtë moment, shqiptarët ishin të ndarë, edhe pse faktet bënin ‘muuu’; se policia dhe prokuroria nuk vepronin për më shumë se dy muaj rresht vetëm e vetëm, se kishim të bënim me fatin e një pinjolli të Rilindjes. Ose më saktë me rruajtjen me thonj të imazhit të ngehinës kriminale të Rilindjes dhe asaj çfarë fsheh ajo në thelb.

Madje intervistat e mbrëmshme të Xhiselës, u dukën sikur i vunë kapakun variantit të një seriali, psiko-erotik, me xhelozi e zënka në çift, qoftë edhe të dhunshme.

Por ashtu siç thotë populli, ‘qeni nuk i mban dot shumë gjatë brekët’! Qofshin ato prej mëndafshi e të qepura me kujdes nga kryerrobaqepësi i Rilindjes, nëpër studion televizive.

Thelbin e kurthit ku ka ngecur Shqipëria e tregoi në eufori e sipër, djali i deputetit të Rilindjes, kur edhe me pranga në duar deklaroi plot krenari dhe karshillëk të tmerrshëm; Ta shohë Lulzim Basha (nënkupto opozita dhe gjithë shqiptarët) gjatë zgjedhjeve...

Nuk tha as që është i pafajshëm, as që kjo është një histori personale dhe nëse e ka tepruar le të marrë dënimin që i takon...Jo; na tha se Edi Rama është i detyruar që ta mbrojë deri në fund siç po bën; se janë pjesë e të njëjtës bandë, e cila për katër vite është e lirë që të bëjë çfarë të dojë duke vjedhur, përdhunuar, koncesionuar etj, etj.

Sepse vetëm për një ditë, njëherë në katër apo dy vite, kur ka zgjedhje ai dhe gjithë çfarë përfaqëson, janë çelësi, domosdoshmëria e qëndrimit në pushtet të Edi Ramës dhe organizatës së tij.

Kjo deklaratë politike e një djaloshi që mburret me kallashnikov në Facebook dhe e quan hashashin ‘ilaç’, i biri i një të përzgjedhur të Ramës, që e ka akoma plumbin në kokë që nga koha kur luftonte me bandat rivale në atë zonë; i cili e ka mbaruar ‘shkollën e lartë’ 17 vite pas të mesmes pasi u bë deputet i Rilindjes; është thelbi i mallkimit që po përjeton Shqipëria.

Nuk ka ‘revolucion’, sepse Rilindja ka policinë, prokurorinë, median shkopin edhe arrën; sepse ndërkombëtarët nuk të lënë ta bësh, për ‘arsye të sigurisë gjeopolitike’.

Nuk ka as rrëzim as me votë, sepse atë e kontrollojnë Rrahjat që i ka ‘mbjellë’ Rilindja në çdo cep të Shqipërisë. Me dhunë e me para, me një vend pune, ndere në polici, Hipotekë a te Tatimet; me thasë me miell apo 100-euroshe... nuk ka rëndësi.

Ky është kurthi, mallkimi që  ka kapur për fyti Shqipërinë; e pamë më qartë se kurrë më parë kur djali i deputetit të Rilindjes, grisi brekët e mëndafshta që Edi Rama ja kishte qepur me aq kujdes dhe mund këto ditë.

Prandaj Lulzim Basha, opozita, mund tu ofrojë shqiptarëve vetëm një zgjidhje; të stopojë çdo gjë dhe të merret vetëm me Reformën Zgjedhore, duke vënë si kusht edhe djegien e mandateve me të cilët tallet edhe Rexhepi i Niklës. Të investohen seriozisht dhe ta mbyllin njëherë e mirë çështjen e zgjedhjeve, njësoj siç e kanë gjithë vendet perëndimore. Kush shet-ble votën, të kalbet në burg.

Nuk mund të vazhdohet më me ‘zgjedhje elektorale’ në Shqipëri, kur ato janë të paracaktuara edhe nga një halabak me pranga në duar. As vitin që vjen, as për 10 vitet në vazhdim, sa thotë Rama se e mban pushtetin.

Ose përndryshe; le të kërkojnë shkarkimin që sot të Bledar Çuçit si bashkëkryetar të Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe Oerd Bylykbashi të vazhdojë punën me Rrajat. Ta flemë kështu mendjen, të gjithë!