Truproja i Thaçit në Ujman, i armatosur me 'Heckler and Koch MP7'

Njësiti special i Policisë së Kosovës ka qenë prezent në vizitën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në Ujman. Por përveç tij Thaçi, të armatosur ka pasur edhe truprojën e tij. Njëri prej truprojave të tij, që kishte lëvizur së bashku me Presidentin e vendit,  shfaqet i armatosur teksa mban një “Heckler and Koch MP7”.

Lundrimit të Thaçit i janë bashkuar edhe dy personat më përgjegjës për sigurinë e Kosovës. Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni e drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Në varkën me Thaçin kanë lundruar edhe dy ministra nga Qeveria Haradinaj; Abelard Tahiri dhe Bedri Hamza.

Ndonëse Thaçi nuk e kishte bërë publike këtë axhendë, disa pamje nga ky lundrim i tij u publikuan. Në njërën prej tyre shihet kur Thaçi zbret nga varka e pas tij zbret truproja i tij që mban në krah një armë “Heckler and Koch MP7”.

Insajderi më herët ka raportuar se Policia e Kosovës ia ka dërguar, Presidentit varkën nga Vërmica në liqenin e Ujmanit. Barka ka qenë pronë e Policisë së Kosovës. Atë e ka ngarë Drejtori i Policisë, Rashit Qalaj teksa presidenti shfaqej se kishte “kontrollin” mbi veriun e vendit.

“Sot pas kësaj vizite të bëjë një xhiro lundrimi në këtë vend të bukur, të pakrahasueshëm...  ishin emocione të veçanta t’i kalojë disa orë në Liqen”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se afër liqenit të Ujmanit kanë qenë rreth 30 pjesëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Tha se kanë qenë të armatosur me pushkë dhe kanë sulmuar katër njerëz.

“Sot me 110-130 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të gjithë të armatosur me pushkë, kanë marrë kontrollin në rrugët që dërgojnë në Gazivodë, dhe objektet në afërsi të liqenit të Gazivodës, brutalisht sulmuan katër njerëz. Ata nuk kanë asgjë për të kërkuar në veri të Kosovës, me pushkë”, tha Vuçiç.

Ndërkohë që Thaçi në një deklaratë për media ka nga Ujmani është shprehur i emocionuar pas lundrimit teksa ka shtuar se është ftuar edhe për kafe./Insajderi