Milani shënon 4 gola pa Higuainin në sulm, Gattuso ‘çlirohet’ dhe ja çfarë thotë

Pas fitores 4-1 ndaj Sussuolos, e cila shërben si oksigjen për Milan e tij, që vinte nga tre barazime radhazi ndaj Cagliari, Atalanta dhe Empoli, trajneri Gennaro Gattuso mund të marrë frymë lirisht.

“Është normale që kjo fitore më gëzon, por nëse nuk fitojmë ndeshjen tjetër ndaj Chievos gjithçka do të jetë e kotë. Vazhdimësia e rezultateve është problemi kryesor që kemi pasur. Nuk ishim më të dobëtit në botë, si na shikonin pas atyre barazimeve, por as tani pas kësaj fitoreje nuk jemi më të mirët”, tha Gattuso.

Më pas, strategu kuqezi shtoi: “Fituam ndaj një prej ekipeve më të forta në këtë fillim sezoni. Sassuolo ishte në formë të shkëlqyer dhe rezultati 4-1 është mashtrues, sepse ata na vunë në vështirësi”.

Në fund, Gattuso tha: “Më vjen mirë që Suso u rikthye te goli. Është një futbollist shumë i rëndësishëm për ne. Sot shënuam katër gola edhe pa pasur Higuain, kjo më bën optimist. Sulmi ynë është në lartësinë e duhur për të përmbushur objektivat që i kemi vënë vetes”.