Gjysëm emigranti Ardit...

- Alo, Arditi?
- Jo, jam e shoqja. Çfarë kishit?
- Më është prishur lavatriçja e nuk më hapet dera. Kanë ngelur rrobat brenda. Thuaji që të vijë sa më parë. Po e pres. Shtëpinë time ai e di, Agimi të mori, thuaji.
- Më fal, por Arditi nuk të vjen dot,se...ka ikur në Gjermani.
- Mos, si kështu?
- Rri tre muaj atje dhe tre muaj vjen këtu. Punon me një shok.
U mërzita me hallin që nuk e zgjidha. Më zuri frika të merrja dikë tjetër në cel. U detyrova të marr taksi e ta çoj lavatriçen tek shitësi. Me gjithë ujë e plaçka brenda. Një tmerr i vërtetë në ashensor e në taksi. Uji rridhte ngado. Nejse,ia dola. Pas një jave vajta dhe rimora lavatriçen me rrobat brenda. Asnjë nuk  mungonte.
Por Arditi më la shije të keqe. Ikja e tij ishte si me u largu psh një akademik nga vendi. Ai që në zhurmën e parë dallon defektin e lavatriçes, frigoriferit e kondicionierit.  Mjeshtër i rrallë.
Dje rastësisht takova shokun e tij, Nestin. Një marangoz artist në stilim, gdhendje e montim. Sa e pyeta për Arditin, më tha:
- Ka dy vjet që shkon e vjen nga Gjermania. Punon pa letra, tek një kushëri i vet. Ka një servis dhe ku ta gjente një usta si ai. Lodhet tre muaj, merr nga 5 mijë euro në muaj e vjen. Rri me gruan e kalamajtë pushim dhe sërish ikën. I del më mirë.
- Po ai kishte gjithë atë repart te Tirana e Re,- i thashë.
- Po, kishte, por nisën taksat, tatimet, rryshfetet, e ndalonin kur në makinë kishte lavatriçe të prishura, kërkonin dokumenta ku e bleve, ku e gjete, ku e more. U lodh shumë dhe në fund të muajit nuk i ngelej asnjë rrogë sa e çirakut të tij. Edhe unë e provova para dy javësh. Por në Itali. Do shkoj në pranverë e vjeshtë. Eshtë një konstruktor nga Shqiperia në Milano. Më jep rrogë aq sa fitoj në vit. Do e mbyll punishten e do ia nis si gjysëm emigranti.
Tamam gjysëm emigranti. Po na kthehet Shqipëria si një azil i madh, mbushur me pleq e fëmijë.. Që ikin edhe kur kanë punë, edhe kur janë duarartë, edhe kur tregu i kërkon. Ikin se ua nxin jetën një qelbësirë zyre që pasi vjedh vota nis vjedhjen e zanatlinjve, të punëtorëve të këtij vendi. U kërkon qiqra në hell deri sa të rrëmbejë më shumë se gjysmën e mundit që derdhin këta njerëz të palodhur.
Arditi e Nesti i mbyllën punishtet. Pushoi sharra e trapani i tyre. Po shurdhohesh Shqipëri! Dëgjon tani veç sherre e kërcënime. Që do trembin dhe Arditët e pakët që kanë ngelur pa blerë biletën e gjysëm emigrimit. Se talenti është si zogu, e tremb zhurma më e vogël...