Zv/ministrja rilexon deklaratat e vartëseve të saj, asnjë informacion për ‘fatin’ e djalit të deputetit socialist

Në emër dhe për mbylljen e skandalit ët Fushë Krujës, ku djali i një deputeti dhunoi fizikisht një vajzë dhe ende, më se dy maj pas kësaj, “nuk i ka hyrë gjemb në këmbë”, ka reaguar sot shtetarja e radhës, zëvendësministra e Brendshme Romina Kuko.

Pa guxuar as kjo, të përmend emrin e djalit të deputetit socialist, por edhe krimin e tij, deklarata e zv/ministres ishte një “fotokopje” e deklaratave që lexuan dje dy vartëset e saja në SHÇBA dhe Policinë e Shtetit.

Duke e shmangur qëllimisht informacionin për “fatin” e djalit të deputetit socialist, sulmi i zv/ministres u adresua sot ndaj oficerit të Policisë Emiljano Nuhu, i cili denoncoi skandalin.

Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko në deklaratë për median

Përshëndetje

Jemi sot këtu për të ritheksuar dhe garantuar edhe njëherë në emër të Ministrisë së Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare se parimi themelor i punës sonë është se askush nuk është mbi ligjin.

Pas një hetimi të hollësishëm të rastit të Xhisela Malokut, rezulton qartazi se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë strikte konform ligjeve të shtetit dhe procedurave standarde, gjë e cila është verifikuar edhe nga Shërbimi I Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave si dhe Drejtoria e Standardeve të Policisë së Shtetit.

Thënë këtë, në asnjë rast Policia e Shtetit nuk ka lejuar interferime të çfarëdollojshme nga kushdo që kërkon të ndërhyjë në punën e saj.

Ne i qëndrojmë fort linjës institucionale e ligjore për të pasur një polici të pandikuar ne veprimtarinë e saj nga askush pavarësisht ngjyrimit partiak, funksionit apo pozitës shoqërore.

Në jo pak raste ne kemi dëshmuar për qëndrime të ashpra të Ministrisë së Brendshme ndaj CDO lloj devijimi në respektimin e këtij parimi.

Pezullimi i menjëhershëm nga detyra dhe referimi në prokurori i oficerit i cili nuk zbatoi siç duhet ligjin;

- pikërisht vlerësimi I rrethanave dhe mos tërheqja e policisë

- referimi I rastit në prokurori edhe pas tërheqjes së vetë kallëzueses

- bashkëpunimi me prokurorinë për t’i shkuar kësaj çështjeje deri ne fund

- si dhe hetimi I cili po vazhdon nga Shërbimi I Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, siç u prezantua dje me detaje, janë prova më e qartë e punës korrekte dhe institucionale e policisë.

Hedhim poshtë me keqardhjen më të thellë të gjitha akuzat, shpifjet dhe insinuatat në kurriz të Policisë së Shtetit.

Shprehim keqardhje që po abuzohet me të vërtetën dhe me vetë vajzën e cila sot ka nevojë për solidaritetin e të gjithëve.

Keqardhje dhe përdorimi si flamur beteje i letrës së një oficeri policie I cili ka shkelur ligjin, ka braktisur detyrën dhe që I përdor këto për interesa personale.

Ne nxisim fort SHÇBA dhe prokurorinë te vazhdojnë me vendosmëri punën e tyre për t'i shkuar deri ne fund hetimit te ngjarjes konkrete, për te ndëshkuar ashpër çdo shkelje te mundshme ne strukturat e policisë se shtetit, ashtu si edhe ndëshkimin e çdo abuzimi me detyrën dhe ndëshkimin çdo lloj shpifje që synon te ndikoje apo te godasë autoritetin dhe imazhin e Policisë se Shtetit.

Ne inkurajojmë procesin e hapur nga Avokati i Popullit për te verifikuar ligjshmërinë e veprimeve te policisë.

Sigurojmë qytetarët tanë se në këtë rast DHE NË ÇDO RAST jemi në krahun e tyre, duke pasur TË GJITHË VËMENDJEN PER JU.

Jemi këtu ne shërbimin tuaj për t’ju garantuar siguri në zbatim të ligjit.