6 muaj hetim për grupin kriminal që trafikonte klandestinë, arrestohen 2 policë të Rinasit. Emrat

Pas 6 muajsh hetime ndaj një grupi kriminal që trafikonte klandestinë nëpërmjet aeroportit të Rinasit, Policia e Shtetit ka vënë në pranga dy anëtarë jo sidokudo të këtij grupi, por dy policë.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në zbatim të vendimit të Gjykatës, kanë arrestuar 2 punonjës të policisë, me shërbim në komisariatin e Rinasit.

Të arrestuarit janë punonjesit e Policisë: Almir Doda, 42 vjeç dhe Edmond Llaçini, 34 vjeç, nga Tirana.

Arrestimi u krye pas një hetimi disamujor me metoda speciale, pasi dy efektivët e policisë dyshoheshin se ishin përfshirë në veprimtari antiligjore, si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar persona të ndryshëm për kalimin e kufirit, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Për të dy efektivët e policisë, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Akuzat e ngritura ndaj tyre janë "Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”. Hetimet po vijojnë.