Helmimi i Skripalëve, policia britanike zbulon identitetin e personit të tretë të përfshirë në sulm

Gazeta britanike, The Telegraph ka raportuar më 27 shtator se policia kundër-terrorizmit ka zbuluar identitetin e zyrtarit të tretë të inteligjencës ushtarake të Rusisë, i cili ka kryer një mision vëzhgimi para helmimit të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Sallsbëri muaj më parë.

Agjenti rus besohet se ka vizituar Sallsbërin për të ndihmuar në planifikimin e sulmit, para se dy kolegët e tij të kenë dërguar Noviçokun në Britani, agjent nervor i kategorisë ushtarake, i cili është zhvilluar në ish-Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Sulmi pati lënë në gjendje kritike, Skripalët, ndonëse ata tani janë duke u shëruar në një lokacion të panjohur për çështje të sigurisë.

Më 5 shtator, Britania ka bërë të ditura akuzat kundër dy burrave rusë, fotografitë e të cilëve janë prezantuar nga policia britanike, si të dyshuar për kryerje të sulmit.

Rusia në anën tjetër ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në tentim vrasjen ndaj Skripalëve.