Veliu takon zyrtarë të policive evropiane gjatë vizitës në Holandë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë punimeve të Konventës së Drejtorëve të Policive Evropiane që u zhvillua në Hagë, Holandë, ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale me delegacione të Policive të vendeve evropiane dhe Policisë amerikane

Ai zhvilloi takime me delegacionet e Policisë amerikane, spanjolle e franceze.

Përfaqësuesit e delegacioneve gjatë bisedës me Veliun, kanë shprehur vlerësimet për punën e Policisë shqiptare, për bashkëpunimin dhe seriozitetin e treguar gjatë operacioneve të përbashkëta për goditjen e grupeve kriminale, apo në drejtim të shkëmbimit të informacionit për hetimin e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit të organizuar,  krimeve ndaj personit, si dhe atë të luftës kundër terrorizmit.

Gjithashtu gjatë takimeve u ra dakort që ky bashkëpunim të thellohet më tej, duke përsosur format dhe metodat  për të hetuar dhe zhvilluar operacione të përbashkëta për goditjen e krimit të organizuar.

Përfaqesuesi i delegacionit amerikan Ricardo Colon, falenderoi në mënyrë të veçantë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu për bashkëpunimin shumë të mirë në të gjitha fushat me agjencitë ligj zbatuese të SHBA-së.

Drejtori i policisë së shtetit ka siguruar homologët se Policia është e orientuar dhe e fokusuar tek operacioni “Forca e Ligjit“ në veprim për goditjen e grupeve kriminale, duke bashkëpunuar me homologët.

Konventa zhvilloi punimet prej dy ditësh, ku morën pjesë delegacione nga të gjitha vendet e botës, përfshirë edhe institucionet ligj zbatuese të Bashkimit Europian EUROPOL, FRONTEX, EUROJUST, por edhe agjensitë e tjera ligj zbatuese si INTERPOL, DEA etj.