Anderleht turpërohet në Kupë, tifozët sulmojnë presidentin, ja çfarë i shkruajnë

Anderleht i ka dhenë lamtumirën Kupës së Belgjikës duke u eliminuar me një humbje të turpshme 3-0 në shtëpi përballë Union St. Zhilua, skuadër e kategorisë së dytë belge. Natyrshëm, nuk kanë munguar menjëherë kritikat pa fund për klubin dhe një nga pyetjet që tifozët i bënin drejtuesve më të lartë ishte se përse nuk aktivizoheshin talentet e afruar gjatë verës, mes të cilëve Kristal Abazaj.

Ky i fundit as që ishte grumbulluar për duelin e të enjtes në darkë, edhe pse pritej të luante në këtë sfidë. Ndaj kur presidenti Mark Kouke u ka kërkuar falje tifozëve në rrjetet sociale, këta të fundit nuk ia kanë përtuar drejtuesit më të lartë.

“U kërkoj falje mbështetësve, nuk e meritoni këtë. Do të bëjmë gjithçka që të kthejmë situatën. Tani është e rëndësishme, sado e vështirë të jetë, që të mbështetim skuadrën, stafin dhe klubin”, shkruante Kouke në rrjetet sociale.

Por përgjigjet nuk kanë qenë siç priste numri 1 i klubit. Shumë tifozë kanë kritikuar zgjedhjet e trajnerit, ndërsa të tjerët kanë filluar me emra të përveçëm mes atyre që prisnin të aktivizoheshin në vijim dhe kërkonin shpjegime pse kishsn mbetur ende jashtë.

“Ku janë Axhiç e Abazaj. Talente… në vend të Gerkens”, ishte kërkesa e nëj prej tifozëve të shumtë që komentuan statusin e presidentit të Anderleht, ndërsa kishte edhe prej atyre që pyetën se pse Abazaj u la për 90 minuta kot në stol edhe në ndeshjen e ekipit të të rinjve pak ditë më parë.