Arrestohet deputeti shqiptar

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj është arrestuar nga Policia e Kosovës, pas deklaratave të tij ndaj ish-prokurorit Elez Blakaj.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ibrahim Berisha.

Ai ka thënë se Demaliaj do të mbahet në paraburgim për 48 orë.

“Është arrestuar deputeti Shkumbin Demaliaj. Arsyeja për shkak të kanosjes ndaj prokurorit Elez Blakaj”, ka thënë Berisha.

E gjitha ka ardhur pas ngritjes së aktakuzës ndaj Demalisë si anëtar i Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve dhe publikimit të listës me veteranët mashtrues në të cilën ndodhej edhe emri i babait të tij.

Pas kësaj, deputeti kishte fyer dhe kërcënuar ish-prokurorin Elez Blakaj në media. Demaliaj kishte thënë se do të merret privatisht me ish-prokurorin Blakaj.