Kadri Veseli vizitë te Ferronikeli, takim me presidentin e Grupit Balfin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli takon presidentin e Balfin në Fabrikën e Ferronikelit/ Mane: Rritje prodhimi dhe investime të tjera në Kosovë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli vizitoi sot kompaninë Newco Ferronikeli në Drenas.Gjatë vizitës së tij ai theksoi rëndësinë e kësaj kompanie jo vetëm për Komunën e Drenasit dhe për rëndësinë që ajo ka në krijimin e mirëqenies së qindra punëtorëve të këtij rajoni, por edhe për tërë Kosovën, pasi përfaqëson mbi 35% të eksportit të gjithë shtetit, gjë që dëshmon se shteti i Kosovës dhe institucionet e saj i mirëpresin investitorët.

“Të gjithë janë të kënaqur që fabrika e Ferronikelit është rikthyer në punë me kapacitet të plotë të prodhimit, si dhe me investimet e bëra nga investitori i ri, Grupi Balfin.Institucionet tona do të vazhdojnë të japin përkrahje të fuqishme në zgjerimin e kapaciteteve operative dhe prodhuese të kësaj fabrike”, theksoi Z. Veseli.

Gjatë vizitës së tij, ishte prezent edhe presidenti i Grupit Balfin, Z. Samir Mane, i cili theksoi se Grupi do të vazhdojë ti japë përkrahje të fuqishme kompanisë së sapo marrë në zotërim.

“Do të ofroj përkrahje të plotë për Ferronikelin, për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe bashkëpunimin e afërt me komunitetin e saj”, theksoi Z. Mane.  Grupi Balfin kanë vazhduar ta përkrahin punën dhe të investojnë fonde të mjaftueshme në fabrikën e prodhimit të ferronikelit, duke synuar zhvillimin dhe stabilitetin e mëtejshëm të kompanisë.

Grupi Balfin ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Newco Ferronikeli në mënyrë që kapaciteti i fabrikës të arrihet në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7,200 ton në vit, në mbi 10,000 ton në vit.  Kompania Newco Ferronikeli, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1000 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e fabrikës me lëndë të para dhe shërbime të tjera në logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

“Ky është investimi i dytë që ne ndërmarrim në Kosovë. Kemi marrë të gjitha masat që gjërat të funksionojnë perfekt. Për mundësi të ndryshme të bizneseve, kur të shohim oportunitete, padyshim që do të vijmë dhe do të investojmë edhe me tepër” – tha me tej Z.Mane.

Grupi Balfin është një nga grupet më të mëdhatë investimeve private në Evropën Jug Lindore, me veprimtari në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë, Austri, dhe Holandë, si dhe veprimtari në sektorin e zhvillimit të pronave të patundshme, si qendrat tregtare në Shqipëri dhe Maqedoni, veprimtaritë e shitjes me pakicë përmes markave të tij kryesore si Neptun, Jumbo, Spar etj, në zhvillimin e resorteve turistike si Green Coast dhe Vala Mar, si dhe në sektorin e minierave me AlbChrome në Shqipëri dhe Newco Ferronikeli-n në Kosovë.